Avokatja e Selimit, Furtuna Sheremeti, po vazhdon fjalën përmbyllëse duke u përqendruar te dëmi që u është shkaktuar viktimave. Ajo tha se nuk iu qaset provave të mbrojtjes të viktimave me shpërfillje sepse e kuptojnë dëmin dhe vuajtjen që kanë përjetuar njerëzit, duke insistuar se Selimi nuk ka kryer krime.
Megjithatë, ajo tha se vuajtja dhe represioni nuk e përjashton provën ligjore.
“Nuk e mjaftueshme që të thuhet se ka pasur dhunë, paraburgosje që në një shoqëri pas konfliktit trauma është e gjerë. Asnjë nga këto nuk tregon se Selimi ka kryer krime, apo ka urdhëruar ato, ka kontribuar në to apo ka pasur njohuri apo kontroll efektiv që të bëjë përgjegjësi komanduese”, tha Sheremeti.
Sipas saj, Prokuroria po synon që të paraqesë dëmin në natyrë të përgjithshme, duke e përdorur si model dhe pjesë “të një plani për kontroll të përqendruar”. Por, ajo argumentoi se provat e Prokurorisë përbëhen nga episode e jo dëme të natyrës së përgjithshme dhe pa autor specifik.
“Po të ketë pasur një rrjet komandimi që do të çonte drejt z. Selimi do të kishte dalë nga provat. Por nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, tha Sheremeti.
Sipas saj, asnjë provë nuk tregon se dëmi ndaj viktimave është shkaktuar nga Selimi.
Lajmi kryesor:
Gjyqi në Hagë për ish-krerët e UÇK-së/ Përmbyllet deklarata për mbrojtjen e Selimit: Prokuroria nuk vërteton akuzat, 45 vite është dënim me jetë! Nis mbrojtja e Krasniqit










