Foto: Ermal Nufi
Grupi Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) është certifikuar “I aftë për mision”, pas përfundimit të procesit të vlerësimit të zhvilluar në kuadër të stërvitjes “Mburoja e Arbrit-26”, në rajonin stërvitor të Bizës.
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e vlerësoi certifikimin si një arritje të rëndësishme për Forcën Tokësore dhe Forcat e Armatosura.
“Sot, rezultati flet qartë: Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë është certifikuar ‘I aftë për mision’. Kjo është një arritje, për të cilën duhet të jemi krenarë. Por, ndër të tjera, është edhe përgjegjësi. Përgjegjësi për të ruajtur standardin, për ta kthyer këtë përvojë në një kapacitet të qëndrueshëm operacional dhe përgjegjësi për të qenë të gatshëm ta dëshmojmë këtë aftësi sa herë që misioni e kërkon”, u shpreh Ministri Nufi.
Stërvitja “Mburoja e Arbrit-26” shërbeu si një proces i plotë dhe rigoroz vlerësimi, i zhvilluar sipas fushave të CREVAL, duke testuar aftësinë e strukturës për të planëzuar, komanduar, dislokuar dhe zhvilluar operacione në një mjedis operacional kompleks, në përputhje me standardet dhe procedurat e NATO-s.
Certifikimi kombëtar u zhvillua nën monitorimin e përfaqësuesve të NATO-s, duke vënë në fokus standardizimin dhe ndërveprueshmërinë e Forcave të Armatosura shqiptare me forcat aleate.
“Shqipëria është dhe do të mbetet një aleate e angazhuar, që kontribuon me përgjegjësi në Aleancë dhe punon vazhdimisht për të rritur aftësitë e saj. Në këtë drejtim, modernizimi i Forcave të Armatosura është një proces i pandalshëm”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes.
Duke e lidhur procesin e certifikimit me transformimin e Forcave të Armatosura, Ministri Nufi theksoi se modernizimi nuk lidhet vetëm me pajisjet, por edhe me mënyrën e planëzimit, stërvitjes dhe zhvillimit të operacioneve.
“Modernizimi që po ndërmarrim synon pikërisht këtë: të ndërtojmë Forca të Armatosura më të afta, më të lëvizshme, më të mbrojtura, më teknologjike dhe plotësisht të ndërveprueshme me forcat e vendeve aleate.”, u shpreh ai.
Në përfundim të ceremonisë, Nufi vlerësoi punën e komandantëve, shtabeve, instruktorëve, vlerësuesve dhe të gjithë ushtarakëve e civilëve të angazhuar në stërvitje, duke nënvizuar se certifikimi është dëshmi e punës, disiplinës, përgatitjes dhe profesionalizmit të tyre.
“Mburoja e Arbrit-26” përbën një tjetër hap në konsolidimin e kapaciteteve operacionale dhe në rritjen e gatishmërisë së Forcave të Armatosura për përmbushjen e misioneve kombëtare dhe angazhimeve në kuadër të Aleancës së NATO-s", tha ai.
Lajmi kryesor:
Begaj ndjek stërvitjen 'Mburoja e Arbrit 2026' në Bizë: Dëshmuat jo vetëm përgatitje, por edhe rezistencë e karakter të fortë ushtarak







