Në këto 20 e kusur vjet demekraci (gjasme demokraci dua të them), nga gojët e politikanëve, deputetëve, ministrave e kryeministrave kemi dëgjuar gjithëfarlloj akuzash, sharjesh, shpifjesh, trillimesh e premtimesh, aq shumë sa s’mbahen mend, aq shumë sa populli shpesh e shumë shpejt i harron, biles i harrojnë edhe vetë ata që i kanë thënë. Është normale që në demokraci njerëzit në përgjithësi, e politikanët më specifikisht, t’i japin gojës, pasi fundja e drejta e fjalës është një nga elementet më thelbësorë të sistemit qeverisës që kemi zgjedhur për vendin. Të gjitha demokracitë e shëndetshme dhe të efektshme në botë e njohin konceptualisht dhe ligjërisht faktin se parlamentarët duhet të jenë të lirë të shprehin mendimin e tyre pa frikë nga persekutimi ligjor, pasi vetëm kështu mund të përfaqësojnë denjësisht elektoratin që i ka votuar. Ky parim është trashëguar prej vitit të largët 1397, kur një antar i parlamentit anglez, Sir Thomas Haxey, kritikoi në Parlament kostot tepër të larta të jetesës së familjes së Mbretit Rikard II, dhe prej mëse gjashtë shekujsh aftësia e parlamentarëve për t’u shprehur lirisht ka gjetur mbështetje e zbatim në mbarë botën e arsyeshme dhe të qytetëruar dhe është sot një standart i pacënueshëm kudo.
Fatkeqësisht, Shqipëria s’është pjesë e botës së arsyeshme e të qytetëruar. Pardje gjykata e shkallës së parë të Tiranës përkrahu kërkesën e fëmijëve të kryeministrit të vendit, të cilët akuzonin deputetin Sajmir Tahiri për shpifje, pasi ai i kishte denominuar si “të korruptuar.” Gjykatësi, në një proces qesharak me aplikim procedurash ligjore paçavure, dënoi deputetin socialist me një gjobë prej 5 milionë lekë (të reja), më thjesht, me 125 rroga të një shqiptari mesatar (ose 10 vjetë punë), apo 34 rroga deputeti.
Pa u marrë me detajet procedurale të gjykimit shkel-e-shko, niveli i ndëshkimit ndaj deputetit Tahiri është disproporcionalisht i ashpër dhe i tepruar dhe gjykata e ka tejkaluar me shumë zell (dhe shumë para) qëllimin e mirë për të vënë në vend nderin e fëmijëve të kryeministrit. Në dhënien e vendimit, gjykatësi i (pa)varur ka anashkaluar në mënyrë eksesive parimin se ndëshkimi penal duhet të jetë në përpjestim me dëmin e shkaktuar nga shkelja që ndëshkohet. Sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në rastet kur nga fjala e lirë është cënuar imazhi i dikujt, prioritet duhet t’i jepet ndëshkimeve alternative, si psh. publikimi i një ndjese publike, tërheqja publike nga qëndrimi fillestar, apo edhe publikimi i vendimit gjyqësor i cili i konsideron komentet si shpifëse.
Gjithashtu gjykatësi dukshëm nuk është në dijeni të dokumenteve dhe qëndrimeve zyrtare të Këshillit të Europës, të cilat i japin prioritet lirisë së fjalës përkarshi pretendimeve të strukturave zyrtare apo personave me pushtet për shpifje e dëmtim imazhi. Akoma më për të ardhur keq është fakti se gjyqtari nuk është në dijeni të qëndrimeve të GjEDNj, e cila duke interpretuar frymën e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (si në çështjen Handyside vs. Mbretëria e Bashkuar) është shprehur se Konventa jo vetëm që mbron informacionin dhe idetë e lira e të padëmshme, por mbron edhe ato ide të cilat ofendojnë, shokojnë apo shqetësojnë shtetin e pushtetin. Gjykata e Strasburgut shkon edhe më tej kur pohon se kufijtë e fjalës së lirë shtrihen edhe më gjerë kur nën kritikë është një politikan apo një person i veshur me pushtet dhe që me dijeni e me dëshirë është i përfshirë në çështje që kanë të bëjnë me publikun. Po ashtu, GjEDNj ka vendosur (në çështjen Castells vs. Spanja) se askush nuk duhet të ndëshkohet penalisht për shpifje, përveç se në rastin kur pala e cila pretendon se i është dëmtuar imazhi provon, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, të gjitha elementet e shkeljes.
Sipas pikëvështrimit të GJEDNJ, liria e fjalës është një kërkesë imperative e pluralizmit, tolerancës dhe mendjes së hapur pa të cilat nuk mund të ekzistojë një shoqëri demokratike. Kuptueshëm që në një vend ku gjyqësori është pushteti që perceptohet si më i korruptuari, të presësh nga gjykatat respektimin e Kushtetutës dhe doktrinës europiane do ishte e tepërt, dhe kthimi i tyre në masha të verbra për të mbyllur gojën e popullit opozitar është një ogur i keq që parandjell re të zeza për demokracinë shqiptare.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com