Shtatë janë kandidatët mes të cilëve do të zgjidhet Komisioneri i ri Mbrojtjen nga Diskriminimi, 3 vite pasi i ka mbaruar mandati drejtuesit aktual Robert Gajda. Mes 7 emrave që kanë aplikuar pranë Kuvendit të Shqipërisë, dallojnë profesionistë të së drejtës dhe ish drejtues institucionesh të drejtësisë së re.
Ish-kreu i KLP Alfred Balla është burri i vetëm që kandidaton, ndërsa Rozeta Ivanova dhe Genta Tafaj Bundo vijnë nga ish Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, e para ish-punonjëse në trupën e Vettingut dhe e dyta komisionere në KPK.
Postin e komisionerit e kërkon edhe Brunila Menella, që aktualisht punon në këtë institucion si Këshilltare e Komisionerit në Departamentin e Punëve të Jashtme
Ermonela Xhafa dhe Sonila Hysi të dyja ish-drejtuese e Agjencisë Kombëtare për Diasporën dhe Brikena Luti janë gjithashtu kandidate.
Sipas rregullores së parlamentit brenda javës së ardhshme do të duhet që Komisioni për të Drejtat e Njeriut të organizojë një dëgjesë publike me secilin prej kandidatëve të vetëofruar.
Pas dëgjesës në komision, në fazën tjetër aplikantët do të duhet që të mbledhin të paktën 28 firma deputetësh në mënyrë që të konsiderohen ligjërisht kandidatë.
Më pas do të jetë seanca plenare e cila do të zgjedhe drejtuesin e këtij institucioni. Zakonisht komisioneri është zgjedhur bashke me Avokatin e Popullit përmes marrëveshjeve politike dypalëshe, por këtë vit me zgjedhjen e Endri Shabanit skema u prish dhe dy partitë e mëdha shkëmbyen akuza ndaj njëra-tjetrës, me opozitën e cila i është drejtuar gjykatës kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e zgjedhjes së Shabanit.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi drejtohet aktualisht nga Robert Gajda, mandati i të cilit ka përfunduar ligjërisht 3 vite më parë dhe i cili nuk ka kërkuar një mandat të dytë, ndërsa gara dështoi një herë në muajin shkurt për shkak se asnjëri prej aplikantëve nuk siguroi 28 firma deputetësh.
Komente











