Tregtarët e ish-Uzinës Dinamo kanë protestuar ndaj vendimit të Task Forcës së ngritur nga Prefektura Tiranës për mbylljen e këtij tregu. Mëngjesin e djeshëm bllokuan për rreth 2 orë segmentin e Unazës në afërsi të tregut duke shkaktuar një kolaps në të gjithë trafikun e kryeqytetit. “Ato subjekte dhe ato dyqane që janë jashtë ligjeve, që nuk plotësojnë kushtet, le të mbyllen. Ndaj është shteti, të kontrollojë, të mbyllë ato dyqane, por jo gjithë tregun?”, thotë një tregtare.

Këta të fundit thonë se nuk pranojnë të zhvendosen pasi në tregun e ri nuk do të kenë të njëjtën shitje ditore si në tregun e ish-Uzinës Dinamo. Sipas tyre në këtë treg janë vendosur 650 subjekte dhe mbi 5000 të punësuar që tani do të dalin të papunë.