Rrjeti i SafeJournalists kanë reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetues lidhur me mbylljen e aplikacionit Tik Tok për 12 muaj në Shqipëri me vendim të qeverisë, vendim për të cilin Kushtetuesja tha se ka cenuar lirinë e medias.

Në reagimin e nënshkruar dhe nga Reporterët pa Kufij e Përgjigje e Shpejtë për Lirinë e Medias, thuhet se vendimi konfirmoi shqetësimet e ngritura që në fillim nga organizatat për lirinë e medias dhe aktorët e shoqërisë civile se ndalimi kombëtar i TikTok  i vendosur pa shqyrtim parlamentar, pa konsultim publik paraprak dhe pa një analizë të qartë të proporcionalitetit ishte i papajtueshëm me standardet kushtetuese dhe detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Vendimi vendos një parim të rëndësishëm kushtetues: masat që kufizojnë aksesin në platformat digjitale duhet të kenë një bazë të qartë dhe specifike ligjore, të jenë të domosdoshme dhe të përbëjnë mjetin më pak kufizues për të arritur një objektiv legjitim të interesit publik”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Deklarata e plotë e SafeJournalists

Rrjeti SafeJournalists Netëork (SJN), partnerët e platformës Përgjigje e Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe Reporterët pa Kufij  (RSF) mirëpresin vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila konstatoi se Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 6 mars 2025, që pezullonte në të gjithë vendin aksesin në platformën e rrjeteve sociale TikTok për një vit, përbënte shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, të mbrojtura nga neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Çështja u paraqit në Gjykatë nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe BIRN Albania.

Masa u ndërmor në mars 2025, kur qeveria shqiptare urdhëroi pezullimin njëvjeçar të TikTok në të gjithë territorin, duke përmendur shqetësime lidhur me ndikimin e platformës në sigurinë e të rinjve dhe dhunën, pas një ngjarjeje tragjike në fund të vitit 2024, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një sulmi me thikë.

Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi masën në bazë të testit me tre kritere të parashikuar në nenin 17 të Kushtetutës, i cili përcakton kur kufizimet ndaj të drejtave themelore mund të lejohen. Në këtë kuadër, Gjykata vlerësoi nëse kufizimi kishte bazë të qartë ligjore, nëse ndiqte një interes publik legjitim dhe nëse ishte proporcional.

Sa i përket ligjshmërisë, Gjykata konstatoi se ligjet e cituara nga qeveria nuk ofronin një autorizim të qartë dhe specifik ligjor për një masë të kësaj shtrirjeje pra, pezullimin e aksesit në një platformë të tërë online për të gjithë përdoruesit në Shqipëri. Për rrjedhojë, Gjykata arriti në përfundimin se nuk ishte përmbushur kërkesa që kufizimet të jenë “të parashikuara me ligj”.

Lidhur me qëllimin legjitim, Gjykata pranoi se mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në internet përbën një interes publik legjitim që mund të justifikojë disa kufizime të lirisë së shprehjes.

Megjithatë, Gjykata konstatoi se masa nuk kalonte testin e proporcionalitetit. Ajo vlerësoi se qeveria nuk kishte demonstruar mjaftueshëm se ishin shqyrtuar alternativa më pak kufizuese dhe as se ndalimi në shkallë kombëtare i platformës ishte i domosdoshëm për të arritur objektivin e deklaruar. Gjykata theksoi gjithashtu se natyra e përkohshme e masës nuk e bënte atë proporcionale, pasi ndalimi përbënte një kufizim të përgjithshëm që prekte të gjithë përdoruesit.

Megjithëse vendimi i kontestuar ishte shfuqizuar tashmë me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 62/2026, Gjykata vendosi të shprehej mbi çështjen në interes publik dhe deklaroi se zbatimi i Vendimit nr. 151/2025 kishte shkelur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Vendimi i arsyetuar plotësisht do të publikohet brenda afateve ligjore.

Ky vendim konfirmon shqetësimet e ngritura që në fillim nga organizatat për lirinë e medias dhe aktorët e shoqërisë civile se ndalimi kombëtar i TikTok  i vendosur pa shqyrtim parlamentar, pa konsultim publik paraprak dhe pa një analizë të qartë të proporcionalitetit ishte i papajtueshëm me standardet kushtetuese dhe detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Vendimi vendos një parim të rëndësishëm kushtetues: masat që kufizojnë aksesin në platformat digjitale duhet të kenë një bazë të qartë dhe specifike ligjore, të jenë të domosdoshme dhe të përbëjnë mjetin më pak kufizues për të arritur një objektiv legjitim të interesit publik.

Vendimi ka gjithashtu rëndësi më të gjerë për diskutimet në vazhdim mbi rregullimin e platformave digjitale. Ndërsa qeveritë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor po shqyrtojnë mënyra për të adresuar rreziqet online, ky vendim shërben si kujtesë e rëndësishme se masa të tilla duhet të mbështeten në autoritet të qartë ligjor dhe të respektojnë parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.

Ne ritheksojmë thirrjen tonë drejtuar autoriteteve shqiptare për të nisur një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe transparent që përfshin parlamentin, shoqërinë civile, organizatat e medias, ekspertët e të drejtave digjitale, partnerët ndërkombëtarë dhe aktorë të tjerë relevantë, me qëllim zhvillimin e një qasjeje proporcionale dhe të bazuar në evidencë për rregullimin e platformave digjitale.

Përpjekje të tilla duhet të jenë në përputhje me standardet evropiane, veçanërisht me Aktin për Shërbimet Digjitale të Bashkimit Evropian (Digital Services Act – DSA), i cili ofron një kuadër të bazuar në rrezik për adresimin e rreziqeve sistemike dhe përmbajtjeve të dëmshme online. Veprimet e fundit të zbatimit të DSA-së, përfshirë gjetjet paraprake të Komisionit Evropian lidhur me dizajnin potencialisht varësues të TikTok, tregojnë se rreziqet që lidhen me platformat mund të adresohen përmes mbikëqyrjes rregullatore dhe mekanizmave të llogaridhënies, pa u mbështetur në kufizime të gjera të aksesit në platformat digjitale. Kjo qasje do t’i mundësonte Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive shqetësimet legjitime për sigurinë e fëmijëve dhe mbrojtjen e të dhënave, duke ruajtur njëkohësisht lirinë e shprehjes, debatin demokratik dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor.

Vendimi i sotëm nënvizon rëndësinë që çdo masë e ardhshme që prek platformat digjitale të mbështetet në ligj të qartë, të jetë e demonstrueshme si e domosdoshme dhe proporcionale, si dhe të jetë subjekt i mbikëqyrjes kuptimplote demokratike dhe gjyqësore.