TIRANE- Dy peshkatarë durrsakë humbën jetën dje, pasi varka e tyre u përmbys, ndërsa kufoma e një shtetasi britanik të mbytur që më 5 tetor në Korfuz, u gjet dje në zonën e Bishtit të Pallës, në Durrës.

Peshkatarët
Gjatë orëve të mbrëmjes të së mërkurrës, në Durrës, është përmbytur një varkë, me 2 peshkatarë. Policia Kufitare bëri të ditur se është njoftuar nga familjarët rreth orës 20:00 të ditës së mërkurë për humbjen e kontakteve. Dy peshkatarët ishin nisur drejt zonës së Golemit. Policia Kufitare nisi menjëherë operacionet e kërkim shpëtimit. Në fillim 2 motoskafë nisën kërkimet në det të hapur, që nuk rezultuan të suksesshme. Më pas njëri nga motoskafët ka parë varkën e mbytur dhe pranë kalatës nr.0, rreth 50 metra larg varkës është gjetur trupi i pajetë i peshkatarit, Ndue Gjoka, 53 vjeç, baba i 4 fëmijëve, i shtyrë nga dallgët.

Ndërkaq, jo pak metra larg tij, u gjet edhe barka. Drejtori i Policisë Kufitare, Nuri Loca, ka bërë të ditur se Policia Kufitare, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, vazhdoi operacionin për gjetjen e peshkatarit të dytë të zhdukur. Policia kufitare e Durrësit njofton se rreth orës 11:30 të 28 nëntorit 2013 u gjet në Currila trupi i dytë i pajetë i peshkatarit Ram Metalia, 55 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës. Peshkatarët dyshohet se nuk i kanë mbijetuar ujërave të ftohta detare, pas përmbysjes së barkës, e cila, nga hetimet e para rezulton se mund të jetë përplasur me një nga bovat sinjalizuese në det. Gjoka dhe Metalia ishin të dy kryefamiljarë dhe e përdornin peshkimin si mënyrë jetese, pasi siguronin të ardhurat e vetme për familjet e tyre, nga shitja e peshkut që nxirnin nga deti.

Mbytja e britanikut
Një shtetas britanik, i mbytur është gjetur dje në zonën e Bishtit të Pallës në bregdetin e Durrësit, 16 milje larg bregut ndërsa deri pasdite nuk dihej identiteti i viktimës. Sipas burime të policisë së Durrësit, gjatë kontrollit të kufomës, në xhepin e pantallonave, u gjet dokumenti i identifikimit. Ndërkaq, prej burimeve policore mësohet se kufoma i përket një shtetasi britanik me emrin Mark Aykroyad 67-vjeç.

Shtetasi britanik dyshohet se mund të jetë një nga anglezët e mbytur në 5 tetor në kanalin e Korfuzit. Në 5 tetor të këtij viti, në ujërat greke, humbën kontaktet dy anglezë 50 dhe 67 vjeç, që udhëtonin me velierën “Pulau Tiga”, me flamur të Britanisë së Madhe. Ata ishin me pushime në Greqi dhe do udhëtonin në 5 tetor drejt Sirakuzës të Italisë, por humbën kontaktet me familjarët, nga Kanali i Korfuzit. Në 10 nëntor, një anije ruse, që udhëtonte në det të hapur pranë Prevezës, gjeti të përmbysur dhe të dëmtuar velierën e anglezëve, por trupat nuk u gjetën kurrë.
 
 Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)