Më 1 Mars Gjermania hap dyert për fuqinë punëtore, por përballet me një lajm jo të mirë

Më 1 Mars Gjermania hap dyert për fuqinë punëtore, por përballet me një lajm jo të mirë

Më shumë se 15 vite kanë kaluar pas raundit të parë të madh të zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet europianolindore e qendrore në vitin 2004. Pak më vonë u bë realitet për këto vende edhe liria e punësimit në BE, një temë që shkaktoi jo pak debate tek anëtarët e vjetër të unionit. Veçanërisht Gjermania dhe Austria ishin kundër hapjes së plotë të tregut të punës me anëtarët e rinj nga frika e pasojave në tregun e punës dhe ulja e rrogave. Por jo të gjithë vendet anëtare të BE kishin frikë atëherë nga dyndja e punëtorëve lindorë që do t'u merrnin vendin e punës vendasve apo do punonin për më pak rrogë. Suedia, Irlanda e Britania e Madhe ishin vendet e para, që i hapën tregjet e tyre menjëherë me anëtarësimin e vendeve europianolindore. Kurse Gjermania e hapi e fundit tregun e punës për 8 anëtarët e rinj lindorë e qendrorë në vitin 2011. Për Bullgarinë e Rumaninë tregu i punës u hap në vitin 2014, për Kroacinë në vitin 2015.

"Na i ktheni njerëzit tanë"

Mobiliteti brenda BE rriti ndjeshëm numrin e punëtorëve migrantë nga vendet europianolindore. Sipas Zyrës Federale të Migracionit e Refugjatëve (BAMF) në fund të vitit 2017 për shembull në Gjermani punonin e jetonin gati 867.000 polakë, 623.000 qytetarë rumunë, kurse nga Bullgaria kanë ardhur më shumë se 66.000 bullgarë në Gjermani për punë vitet e fundit.

Sidomos në Britaninë e Madhe erdhi një numër i madh punëtorësh nga Europalindore. Rrogat dhe qasja e lehtë në tregun britanik të punës ishin faktorë tërheqës për shumë punëtorë nga vendet lindore të BE. Polakët për shembull avancuan në grupin më të madh të punëtorëve të huaj në ishull, me afër 1 milionë punëtorë sipas statistikave britanike të vitit 2018. Por pas Brexit gjendja ka filluar të ndryshojë. Atmosfera për punëtorët e huaj në vitet e debatit për Brexit ka ndryshuar. Në Britaninë e Madhe flitet ndërkohë për Brexodus - Brexit dhe Exod. Jo pak punëtorë vendosin të largohen, duke krijuar probleme për disa degë të ekonomisë. Sips dpa, ekonomia britanike është e varur nga fuqia e lirë punëtore nga Lindja, sidomos në sektorët e gastronomisë, ndërtimtarisë apo kujdesit shëndetësor e bujqësisë. Por vitin e kaluar fermerët britanikë kanë pasur probleme të gjejnë forca punëtore lindore për punët sezonale në bujqësi, sepse shumë prej tyre po kërkojnë për shkak të Brexit punë në vende të tjera.

Lindja europiane ka ndryshuar

Nuk është vetëm atmosfera në vendet pritëse që u sjell shqetësime punëtorëve emigrantë. Edhe vetë vendet nga kanë ardhur ata kanë ndryshuar këto vite e po bëhen më tërheqëse. Megjithëse vendet europianolindore ende gëzojnë imazhin e vendeve të varfra, nga ku punëtorët duan të largohen, vende si Polonia apo Çekia kanë shënuar vitet e fundit histori suksesi ekonomik. Rritja ekonomike ka çuar edhe në rritjen e rrogave e numrin e ulët të të papunëve, gjë që janë faktorë kryesorë për të joshur migrantët e larguar të kthehen në vendlindje. Polonia për shembull spostoi në vitin 2019 Britaninë e Madhe si partnerin e pestë më të madh tregtar të Gjermanisë, bën të ditur gazeta gjermane, "Handelsblatt". Edhe eksport-importet gjermane me Çekinë, Sllovakinë e Hungarinë u rritën në vitin 2019.

Kështu më shumë se 15 vite pas anëtarësimit në BE për herë të parë po shënohet një trend i vërtetë pas emigrimit masiv nga Europa Lindore. Sipas gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shifra neto e emigrimit ka ndryshuar. Vitin e kaluar janë kthyer më shumë polakë në Poloni, se sa janë larguar nga vendi.  Qeveria konservatore e djathtë, PiS përpiqet në mënyrë aktive që të tërheqë qytetarët e larguar nga vendi për të ndihmuar ekonominë e vendit në rritje. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki bëri madje edhe një thirrje në televizionin britanik. "Na i ktheni njerëzit tanë."

Iluzion për Gjermaninë

Një lajm jo i mirë ky për Gjermaninë që i nevojiten më shumë se 1 milionë forca punëtore për zënë vendet bosh të punës. Pikërisht për këtë më 1 Mars Gjermania hap dyert për fuqinë punëtore të kualifikuar me një ligj të posaçëm, që ka si qëllim zbutjen e mungesës së fuqisë punëtore. Por sipas "Frankfurter Allgemeine Zeitung" Gjermania nuk mund të presë në të ardhmen, se do të vijë një fluks i krahut të lirë të punës nga vendet europianolindore si Polonia e Çekia. "Është iluzion të presësh, se prej andej do të vijnë në numër të madh zanatçinj apo infermierë që nuk kushtojnë."/DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI