Pak ende flitet dhe shkruhet për lumturinë. Në ditët e para të daljes në treg të gazetës Shqiptarja.com, më vjen në mendje një shkrimi im si zakonisht naiv: A mund të jetë lumturia një objektiv politik? Ishte nëntori i vitit 2011.
Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të qershorit 2013, disa herë e dëgjova si nocion fjalën lumturi në ligjërimet e politikanëve të bllokut të majtë. Dëshiroj shumë që të jenë duke punuar intensivisht për të realizuar çdo qëllim të mirë.
E megjithatë, më pëlqen të shkruaj për lumturinë dhe për sfidën e seicilit prej nesh për ta arritur atë. Mendoj se një njeri i lumtur është gjëja më e bukur që mund të shohësh të ekzistojë. Ka njerëz që kanë nisur rrugën e tyre në kërkim të lumturisë edhe pse kjo rrugë nuk është për të gjithë njësoj: Eshtë aq e ndryshme, saç janë të ndryshme ngjyrat dhe format e syve tanë.
Dikush e gjen lumturinë përmes fesë, dikush përmes punës dhe profesionit që ka zgjedhur, dikush përmes natyrës, artit, të thjeshtës dhe të bukurës; rrugët janë vërtetë të panumërta vetëm se kërkojnë gjithnjë një sens etik dhe estetik, një sens mase dhe harmonie për të respektuar.
Mund të flas për njerëz të lumtur që kam njohur: Për shembull Elën. Di sa e trazuar ishte më parë dhe sa e qetë, e dashur, e mirë është tani që ka gjetur rrugën përmes një besimi fetar.
Alina Somova ne Romeo e Xhulieta (Foto: La Scala)
Vetë preferoj të flas për Artin, atë me A të madhe, që vjen dhe realizohet përmes një disipline të gjatë dhe të fortë. Për Baletin. Ndonjëherë i lejoj vetes një “luks” për të parë ndonjë shfaqje në La Scala të Milanos, tempull i artit të vërtetë, të bukur. Në konceptin tim për lumturinë italianët, Italia, është vendi që ka krijuar më së miri kushtet që njerëzit ta gjejnë atë. Më duket sikur në Itali, më shumë se në çdo vend tjetër, shqisat njerëzore gjejnë harmoninë dhe kënaqësinë e të ushqyerit, të veshurit, të parit, të dëgjuarit. Në Itali, më shumë se kudo ruhet arti i të shkuarës dhe promovohet ai i të ardhmes. Italia është vendi i Dantes, që ashtu si më të ndriçuarit e rruzullit, përcolli në Komedinë e tij Hyjnore të gjitha veset dhe virtytet e njeriut dhe përmes Virgjilit (dijes) dhe Beatriçes (dashurisë së pastër) tregoi rrugën e arritjes së lumturisë dhe atë të përmirësismit.
Roberto Bolle dhe Alina Somova
Prandaj, në Italinë e La Scala të Milanos, në interpretimin e Romeo e Xhulietës nga Roberto Bolle dhe Alina Somova, unë që lumturinë e ndjek përmes artit, lirisë dhe të bukurës, nuk mund të bëj tjetër gjë veçse ta tregoj dhe ta ndaj me të tjerët. Më duket sikur balerinët e talentuar, më dukshëm se çdo artist tjetër, realizojnë një kërcim me elegancë të rrallë e një bukuri aq fine saqë është e vështirë të mos dalësh nga ky spektakël i përmirësuar. I lumtur.
Roberto Bolle te Romeo e Xhulieta (foto La Scala)
Lumturia dhe eleganca sipas
mbretit të modës Giorgio Armani
Për mjeshtrin e elegancës me famë botërore, Giorgio Armani – i pranishëm gjithashtu në premierën e baletit Romeo e Xhulieta – “eleganca është një manifestim i shpirtit në zhdukje në kohët tona”. “E megjithatë, - shprehet me mirësjellje legjenda e modës italiane në botë, në një bashkëbisedim të shkurtër në pushimin mes akteve – mund ta gjesh të manifestuar në vende të rralla si La Scala, ose edhe në veprime të vogla të një individi. Edhe mënyra se si mban duart, kreh flokët, apo zgjedh syzet, janë shprehje të vogla të një elegance nëse ekziston”.
Po lumturia si mund të arrihet? Çfarë mund të thotë për këtë Giorgio Armani? “Lumturia vjen atëherë kur realizon atë që dëshiron. Por është momentale, mbaron, por ka një të mirë se mund të rishfaqet në një tjetër e një tjetër e një tjetër realizim të diçkaje të dëshiruar”.
Me Giorgio Armanin, në intervalin e Baletit Romeo dhe Xhulieta, Milano 10 tetor 2014