Vajza e madhe e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, i vrarë gjatë një sulmi ajror amerikan në vitin 2020, bënte një jetë luksoze në Los Angeles para arrestimit të saj nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) të premten.

Sarinasadat Hosseiny, 25 vjeçe, dhe nëna e saj, Hamideh Soleimani Afshar, u arrestuan pasi Departamenti i Shtetit u ndërpreu statusin e rezidentit të përhershëm dhe ua revokoi kartat e gjelbra për shkak të lidhjeve të tyre me regjimin terrorist iranian, njoftoi agjencia të shtunën.

Megjithatë, vajza e gjeneralit, Zeinab Soleimani, reagoi më vonë duke thënë se ato nuk kanë asnjë lidhje me arrestimin.

“Personat e arrestuar në Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me familjen e dëshmorit Soleimani dhe deklarata e Departamentit të Shtetit është një gënjeshtër. Ata janë bërë kaq të dobët dhe të pafuqishëm saqë, duke shpikur gënjeshtra kundër një figure të madhe si Haxhi Qassem, përpiqen të largojnë vëmendjen e opinionit publik botëror nga humbja e tyre përballë kombit iranian”, shprehej ajo në një deklaratë.

Llogaritë e 25-vjeçares Sarinasadat Hosseiny në mediat sociale tregojnë se ajo ka shijuar një stil jetese të shtrenjtë, me pushime luksoze, ndërsa jetonte në vendin që nëna e saj e quajti “Satani i Madh.”

Hosseiny ka ndarë foto nga udhëtimet me avionë privatë, duke pushuar në jahte të shtrenjta apo në festivale muzikore, pa dhënë shenja të ndonjë pune të qëndrueshme.

Postimet në Instagram tregojnë se Hosseiny ka udhëtuar së fundmi në Majami, në Alaskë dhe në Las Vegas, ku ka marrë pjesë në një garë F‑1.

Ajo shfaqet e veshur me fustane të ngushta, bikini dhe funde të shkurtra. Në një foto tjetër, ajo shfaqet me geta rrjetë dhe minifund, veshje që nuk do t’i lejoheshin në Iran.

Hosseiny u pranua për herë të parë në SHBA me vizë studentore në vitin 2015 dhe administrata Biden i dha kartën e gjelbër në vitin 2023.

Si Afshar dhe Hosseiny u arrestuan në Los Angeles, tha Departamenti i Shtetit, i cili përmendi “mbështetjen e palëkundur” të nënës për Gardën Revolucionare të Iranit.