Një thirrje e hapur për të reaguar si politikanë dhe pa tagër përfaqësimi është propozimi i Ina Zhupës për kolegët e saj demokratë. Ajo kërkon një mbledhje bashkimi të 52 deputetëve të zgjedhur nga shqiptarët, të shikojnë njëri tjetrin sy më sy për të nisur rrugën e zgjidhjes për situatën në PD.

Ajo tha se kjo përpjekje e demokratëve për t’u mbledhur është një detyrim moral që ka secili prej ndaj votuesve të PD, të cilët edhe i kanë premtuar se do të përfaqësojnë interesat e tyre në parlament.

    Deputetja Zhupa fton çdo koleg deputet t'i përgjigjet këtij propozimi pa tagra përfaqësues, por personalisht dhe politikisht si të zgjedhur nga qytetarët.

    Propozimet e Ina Zhupës

    • 1- Mbledhjen e përbashkët të 52 deputetëve të PD, të votuar nga qytetarët shqiptarë për ti përfaqësuar, pa asnjë përjashtim!
    • 2- Mbledhja e parë të zhvillohet vetëm me një pikë të rendit ditës: Situata në PD! Të dëgjojmë njeri tjetrin, të flasim me njëri tjetrin sy më sy dhe jo nëpërmjet ekraneve të televizioneve ku jemi bërë ushqimi i përditshëm i publikut që e ndjek si telenovelë!
    • 3- Mbledhja e parë të zhvillohet në ambientet e kryesisë së kuvendit ku mblidhen edhe grupe të tjera parlamentare po ku edhe grupi jonë është mbledhur me raste të caktuara.
    • 4- Mbledhja e parë të moderohet nga deputetja më e re e grupit parlamentar Andia Ulliri dhe mos ketë limit kohor në diskutime. Hierarkitë partiake le të zhduket një moment, asgjë e keqe nuk do vijë.