Report Tv ka zbardhur të tjera detaje nga dosja hetimore për vrasjen e turistit portugez në Ksamil. Sipas dëshmisë së DJ Armand Zeneli, Sokrat Vata pas krimit i ka kërkuar DJ të klubit që ta çonte në spital, duke mos i treguar se çfarë kishte ndodhur.
Në dosjen hetimore të cilën Report Tv disponon, DJ thotë se Vata ishte i mbuluar me gjak 'kokë e këmbë', teksa dorën e mbante poshtë bluzës.
Pasi e ka marrë në makinë Zeneli thotë se Sokrati i ka kërkuar që të ndalojë në një rrugë me kalldrëm dhe. Pas disa hapave zbathur, disa metra larg makinës, 29-vjeçari ka hedhur diçka me forcë, thotë DJ.
“Rreth orës 05:00 të datës 18.08.2026 pashë rojet e sigurisë që iknin me vrap në drejtim të hyrjes së klubit. Në vazhdim kur isha te pjesa e restorantit kanë ardhur një grup kolegësh pune të panikosur të cilët më thanë ‘merre Sokratin dhe çoje në spital se ti ke makinë këtu afër’.
Në drejtimin tim ka ardhur Sokrat Vata i cili ishte i gjakosur kokë e këmbë dhe mbante dorën poshtë bluzës në pjesën e barkut dhe më ka thënë disa herë “ku e ke makinën, më ço në spital, nxito o …’. Unë njoftova menaxherin në lidhje me situatën dhe më pas ika me vrap për të marrë makinën te parkimi dhe kur dola jashtë pashë një grup turistësh të cilët po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë.
Kam marrë makinën dhe në pjesën e sipërme të lokalit ka dalë Sokrati i cili kishte hipur në pjesën e pasme të makinës dhe u nisa menjëherë në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit, ku Sokrati gjatë rrugës më tha ‘ik vetëm drejt’ dhe pas dy-tre minutash kur shkuan në një rrugë me kalldrëm Sokrati më ka thënë ‘ndalo këtu’ dhe ka ikur zbathur. Disa metra pak larg makinës vura re që Sokrati hodhi diçka me forcë”, ka treguar ai para hetuesve.
Pas këtij momenti Dj ka rrëfyer se ka shkuar në banesë i shokuar dhe pasi është qetësuar ka telefonuar policinë dhe ka ofruar ndihmë për kapjen e Sokratit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi kryesor:
‘I gjithë sherri jashtë lokalit minutë pas minute’, Report Tv siguron pjesë nga dosja e vrasjes së portugezit te ‘Principotes’ në Ksamil! I riu u fut në det për të shpëtuar









