Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë në 2030” së bashku me ministrin e Bujqësisë Andis Salla, ku do të prezantohen mekanizmat praktike me qëllim përmbushjen e reformave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Rama tha se integrimi në BE do të jetë një e mirë për të gjithë ata fermerë të cilët janë të përgatitur për tregun evropian dhe një sfidë e pamundur për ata që nuk janë gati.  Kryeministri u shpreh se përmbushja e standarteve evropiane në fushën e bujqësisë është një sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Rama theksoi rritjen e numrit të fermerëve që sot marrin mbështetje nga shteti si dhe uljen e numrit të deficitit në eksporte.

Bujqësia shqiptare përballë sfidës së tregut evropian në kontekstin e Shqipërisë anëtare të BE-së. Dua të flas shumë hapur me ju, duke ju thënë se kjo sfidë ka dy anë: ka anën e saj të errët dhe anën e ndritur. Ana e errët është ajo që pret këdo që nuk është i përgatitur për atë ditë, sepse negociatat me BE-në dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese thjesht të lidhura me atë që ne shkruajmë në letër, por janë kontrata shtetërore komplekse, ku çdo faktor duhet t’i përgjigjet kontratës.

Kontrata për bujqësinë është më e vështira, ashtu siç është edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet, standardet dhe kontrollet që burojnë nga cilësia e lartë dhe siguria e produkteve, kur vjen puna për të qenë lojtar në tregun e BE-së.

Unë besoj tek ju dhe tek të gjithë ata që, në kushte absolutisht të pakrahasueshme me sot, një dekadë më parë ishin aty, tek toka, dhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush e ka kaluar atë sfidë, do ta kalojë edhe këtë sfidë.

Numri i fermerëve që merrnin një mbështetje më parë simbolike nga shteti ishte 5 600, sot është 67 500. Eksportet ishin thjesht dhe vetëm një aktivitet i një grushti fermerësh që ia kishin dalë deri aty dhe deficiti tregtar ishte një katastrofë unike në rajon. Për çdo euro të eksportuar, ne importonim 9 euro ushqim. Ndërkohë sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliard euro. Deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe synimi ynë është të shkojmë në 1 me 2”, tha Rama.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:05
“EuroAgro Albania nuk është faqe e re interneti”, Rama: Do të bëjmë sistemin e administratave, regjistrin kombëtar të fermave dhe laboratorët

 

Në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantojnë mekanizmat praktikë për përgatitjen hap pas hapi drejt BE-së.

Kryeministri thotë se financimi i projekteve bujqësore nuk do të jetë çështje parash. Projektet e duhura dhe garancitë për zbatimin e tyre do të financohen patjetër.

Do të vëmë në dispozicion bujqësisë shqiptare, fermës dhe atyre që duan të jetojnë me tokën, një fakt: për askënd nuk do të jetë çështje lekësh, fondesh, për gjithkënd do të jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijes për zbatimin e projektit. Çdo projekt që do të jetë i duhuri dhe që do të mbështetet me dije nga ana e çdo aplikanti, as nuk diskutohet që do të financohet në një mënyrë ose në një tjetër.

Duke falënderuar ministrin për platformën kombëtare si përmbushje të asaj që ai ka kërkuar, Rama tha:

Euro Agro Albania nuk është një faqe e re interneti, por një instrument të cilin të gjithë ju që janë në fermë dhe duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet, fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një instrument të punës së përditshme. Është udhërrëfyes për të gjithë ju në çdo hap të procesit të negociatave, është burim informacioni për standarde, afate e detyrime konkrete. Është një kanal dialogu, secili mund të hyjë dhe të komunikojë, të pyesë e të marrë përgjigje për aspekte të problematikës që përballet. Është edhe një mjet koordinimi që garanton mes jush e nesh ka ndërveprim të vazhdueshëm. Unë shpresoj që të jetë edhe UBT sepse është një derë e re, e hapur për të gjithë ju.

Më tej, ai pati një këshillë për fermerët e prodhuesit që synojnë tregun europian.

Mos lini ditë të kalojë pa investuar te mendja e kompanisë, fuqia njerëzore, pa trajnuar dhe përditësuar dijen. Mos lini ditë të kalojë pa sjellë në kompani diçka të re, sado të vogël në aspektin e të mësuarit sepse dija është ajo që kur ka munguar, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e menjëhershëm të hapjes së dyerve të BE. Thjesht të vendoset dryni dhe nuk t’i pranon më njeri ato që prodhon. Pse? Sepse nuk je më si sot që je fermer e eksportues që prodhon jashtë BE dhe kontrollohesh para se të hysh atje.

Kryeministri përshkroi edhe hapat konkretë që do të ndiqen për modernizimin e bujqësisë.

Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administratave të kontrollit. Do të finalizojmë regjistrin kombëtar të fermave, parcelave dhe kafshëve. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE-ja. Sot kemi një nivel komplet tjetër të cilësisë së analizave, por na duhet të përfundojmë projektin dhe do të shtyjmë fort për sistemin e shërbimeve këshillimore në terren, ku do të mbështetemi tek Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Ora 10:49
'Me fermerët në Shqipërinë 2030', ministri Salla: Synojmë të përfitojnë 150 mijë fermerë/ Prezantohet platforma digjitale, informuese dhe “Numri Blu”

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian. Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe tregtimit, duke paralajmëruar një paketë ligjore, proces komunikimi dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut.

Sipas tij, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer ekonominë e shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.

Salla lançoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, si një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.

Sot jemi këtu për të nisur një dialog mbi rrugëtimin e sektorit bujqësor dhe rural drejt destinacionit tonë të përbashkët në familjen e madhe evropiane. Në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, më 17 Nëntor, u çel zyrtarisht Grupi i Kapitullit 5 ku përfshihen edhe tre kapitujt që mbulon MBZHR.  Kapitujt 11, 12, 13, janë dinamikë që kërkojnë angazhim si në përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e standarteve, por kërkojnë edhe një transformim dhe modernizim të sektorit.  Kjo arrihet me punën që do të bëjë Qeveria por kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e gjithësecilit prej jush.  Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, operatorët e biznesit, konsumatorët dhe ekonominë e vendit.

Nga ana tjetër sjell, gjithashtu, detyrime… Pra, përfitimi nuk vjen automatikisht, vjen kur të gjithë aktorët janë të përgatitur me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit. Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vendoset në qendër. Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Për t’i arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun. Por kjo mbështetje ka kushtëzime… Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj. Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë. Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme:

- Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë;

-Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.

Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, ne do të përshtasim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.

Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit tanë është edhe përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve. Për këtë arsye, MBZHR po përgatit paketën ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut. Dhe në fund, një element që bën diferencën: organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish. Kjo na ndihmon të kapërcejmë problemin e ekonomisë së shkallës dhe, njëkohësisht, është mënyra më efektive për të përthithur fondet europiane në masa të caktuara mbështetjeje.

Në Kapitullin 12, siguria ushqimore bëhet standard pune në të gjithë zinxhirin. Ne jemi të angazhuar për të arritur zbatim të plotë të legjislacionit të BE-së. Përtej përafrimit ligjor, detyrimi është zbatimi real i këtyre akteve në terren për të arritur standardet nga fermerët tek stabilimentet dhe operatorët e biznesit ushqimor. Të gjithë bizneset duhet të arrijnë të njëjtat standarde me ato të BE-së. Kjo shoqërohet me kosto por njëkohësisht dhe mundësinë për të tregtuar në tregun e përbashkët. Ndërveprimi i ngushtë mes institucioneve publike dhe operatorëve është elementi kyç, për efekt të kontrollit zyrtar, por sidomos për ndërtimin e standardeve dhe zbatimin në praktikë.

Në Kapitullin 13, kërkesat janë shumë konkrete: digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll. Nga ana jonë, angazhimi është të forcojmë mbledhjen e të dhënave dhe raportimin elektronik me strukturat e BE-së. Ne e dimë mirë që këto transformime nuk i përballon dot askush vetëm.

Kjo është arsyeja pse sot ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi. Platforma konkretisht do të sjellë:

  • Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
  • Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
  • Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime

Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë. Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot. Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje. Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish.