Me kë dialogon Prishtina pas 6 majit?

Me kë dialogon Prishtina pas 6 majit?
BEOGRAD - “Unë e vendos se kush e merr karriken e kryeministrit të Serbisë”. Kështu ka thënë ministri i brendshëm serb Ivica Daçiç, për tabloidin beogradas Press, në prag të zgjedhjeve të 6 majit. Daçiç, përgjegjës për arrestimet e fundit të shqiptarëve të Kosovës, përfshirë dy policë kosovarë dhe autor i një retorike të ashpër me autoritetet kosovare, mban edhe postin e zv/kryeministrit të Serbisë.

Në 6 maj në Serbi votohet për presidentin e ri të vendit, për parlamentin dhe për qeveritë vendore dhe situata politike është mjaft interesante. Në garë për presidencën e vendit janë regjistruar 11 kandidatë, që përfaqësojnë po aq grupime partish e organizatash të mbledhura rreth secilit prej tyre.

Sondazhet e ndryshme të zhvilluara përgjatë muajit prill kanë rezultate jo shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, me një trend të qartë: Boris Tadiç i partisë demokratike dhe Tomislav Nikoliç i partisë progresiste serbe (e shkëputur nga partia radikale) do të kalojnë në raundin e dytë. Katër kompani sondazhesh që kanë publikuar rezultatet nga 2 deri në 11 prill, i japin Tadiç 27-36% dhe Nikoliç 28-36% (në varësi të secilit sondazh). Rezultatet që tërhoqën më shumë vëmendjen janë ato të Faktor Plus, zhvilluar në 2-8 prill që i nxjerrin kokë më kokë dy kandidatët me përkatësisht 35.8 dhe 35.7%.

Këtu hyn partia socialiste (dikur e drejtuar nga Millosheviç) e kandidatit presidencial Ivica Daçiç, që çmohet se do arrijë të grumbullojë rreth 11% të votave në raundin e parë dhe do të bëhet faktor kyç me mbështetjen e tij për secilin nga dy kandidatët me më shumë vota. Në raundin e dytë pritet gjithashtu që Koshtunica (5-9% të votave) të mbështesë Nikoliç, ndërsa liberalët (rreth 5% e votave sipas sondazheve) të mbështesin Tadiç. Ivica Daçiç ka lënë të kuptohet se mund të bëjë aleancë paszgjedhore me secilin prej dy kandidatëve më të fortë.

Gazeta Danas shkruan sot se Daçiç do të kërkojë postin e kryeministrit, në këmbim të mbështetjes së tij për postin e presidentit. Ndërkohë vetë Daçiç, i cituar nga B92 thotë se “unë mund t’u siguroj shumicën qeverisëse si demokratëve të Tadiç, ashtu edhe progresistëve të Nikoliç, varet kush do më mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale”. Ndërkohë që, sipas sondazheve, Daçiç duket pak si tepër optimist në ambiciet e tij presidenciale, të gjitha analizat e nxjerrin faktor kyç në konfigurimin e qeverisë dhe presidencës së ardhshme serbe.

Një skenar i mundshëm me Nikoliç president dhe Daçiç kryeministër, është më i keqi si për Brukselin, ashtu edhe për Prishtinën. BE shpreson se, me dhënien e statusit kandidat Serbisë, i ka rritur shanset e Tadiç për rizgjedhje, ndërkohë që një rritje e mëtejshme e temperaturës në veri të Kosovës, mund të shtojë vota për nacionalistët në ekuilibrin e brishtë të zgjedhjeve serbe.

Ndërkohë, rreth 50% e serbëve, thonë sondazhet, nuk besojnë se do shkojnë në votime dhe për më tepër 70% e atyre që kanë vendosur për kë do votojnë shprehen se nuk besojnë shumë te zgjedhja që po bëjnë.

(ep/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi