TIRANE-Albes Alite, ish-drejtori menaxhimit të projektit në autostradën Tiranë-Elbasan do të vazhdojë të mbetet në burg deri në përfundim të hetimeve për abuzimet me fondet publike në këtë aks. Kërkesa e Alitës për t’u liruar nga qelia me argumentin se ndaj tij nuk ka prova dhe gjendja e tij shëndetësore është e papërshtatshme për të qëndruar në qeli u refuzua nga apeli i krimeve këtë të mërkurë.

Ndërkohë avokati i tij Besnik Cerekja u shpreh se vendimi i gjykatës dhe prokurorisë për të mbajtur Aliten në burg është i pabazuar pasi nuk ka prova. Pas hekurave për këtë dosje qëndron dhe Aksel Qorduku ndërsa lirinë e ka fituar pak javë më parë ish eprori i tyre Dashamir Xhika.

Xhika, Alite e Qorduku u prangosën në shkurt pas kallëzimit që ministria e Infrastrukturës bëri në prokurori për abuzimet me projektin dhe fondet në buxhetin e shtetit. Lirimi i ish kreut të Autoritetit Shqiptar të Rrugëve, Dashamir Xhika është apeluar nga prokuroria e Krimeve të rënda dhe më 31 gusht gjykata do të shqyrtojë kërkesën nëse do e lërë atë në arrest shtëpie apo do ta rikthejë në qeli.

ReportTv ka mësuar se prokuroria e Krimeve ka zgjatur afatet hetimore për këtë dosje dhe pritet që në tetor këto hetime të përfundojnë pasi janë administruar dhe dëshmitë e disa ish zyrtarëve përfshi dhe ish ministrat e Transporteve Edmond Haxhinasto dhe Dervishaj.