Të dielën në orën 15:00 në stadiumin e Juventusit në Torino do të luhet finalja e vogël e Ligës së Kombeve për vendin e tretë dhe të katërt mes Italisë dhe Belgjikës. Të dy kombëtaret u eliminuan në gjysmëfinale dhe kjo përballje do të jetë si ngushëllim, për më tepër që Belgjika do të kërkojë të hakmerret për eliminimin që italianët i bënë në kampionatin europian.

Për atë që përfaqësojnë dy kombëtaret kjo është një përballje, që mund t’i japë shumë futbollit, por portieri i Belgjikës Courtis është mjaft skeptik. Për këtë ndeshje ai është shprehur:

“Do të luajmë për asgjë. Askujt nuk i intereson nëse dalim të tretët apo të katërtit në Ligën e Kombeve. Për mua kjo ndeshje nuk duhej të zhvillohej.”

Në 23 përballje me njëra tjetrën Italia ka fituar 15, 4 janë mbyllur në barazim dhe 4 të tjera janë fitore të Belgjikës, e fundit në vitin e largët 1972. Por ndryshe nga protagonistë të Belgjikës mendojnë te Italia, skuadra kampione Europe që u eliminua nga Spanja në gjysmëfinale. Trajneri Roberto Mancini ka deklaruar:

“Është një ndeshje vendimtare. Duhet t’ia dalim për të mbajtur një nga 7 vendet e para në renditjen e FIFA-s, që të jemi të favorizuar në shortin e Botërorit.”

Te Italia do të ketë disa mungesa si Pessina, Immobile dhe Toloi, ndërsa Bonucci është i ndëshkuar me karton të kuq. Ndërkohë te Belgjika skuadra është e plotë dhe Hazard me De Bruynë kanë lënë pas problemet fizike.