Kreu i PD, Sali Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se përdor vjedhjet dhe drogën për të shkatërruar kombin. Berisha tha se nuk do ta lëshojën sheshin para kryeministrisë pa laruar Ramën nga qeveria.

“Ka shkatërruar një sistem të tërë dhe për vete vjedh, vjedh, vetëm vjedh. Po arsimi, po shkollimi, një shkatërrim me dokumente, me vlerësime zyrtare si në asnjë vend tjetër. Rama për të shkatërruar këtë komb, nuk përdor kampet e përqendrimit, nuk përdor burgjet politike, ndonëse burgos politikisht, por përdor vjedhjet, vjedh me bandën e tij 90% të të gjitha fondeve për punë publike. A mund të imagjinoni një magazinier i Salillarit është fitues tenderi 60 mln euro për Portin e Vlorës. A mund të imagjinoni që rruga të ndërtohet me çmim 10 herë më të lartë se në Europë. Ne nuk e lëshojmë këtë shesh, ky është sheshi ynë, ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët dhe Shqipërinë nga kjo bandë. Arma e dytë e tmerrshme e kësaj bande është droga”, tha Berisha.

Ndonëse në protesta i bashkohen një grusht militantësh, Berisha thotë se janë shumë veta dhe se në protestat e radhës do u bashkohen edhe më shumë protestues. Berisha i tha Ramës se do të paguajë për vendimet e diktuara të Gjykatave dhe se nuk heqin dorë deri në largimin e tij nga qeveria.

“Parlamenti është përfaqësuesi juaj. S’do ta lejojmë që ta përdorë Kuvendin. Këtyre u ka ikur koha  e tyre është një kohë e zezë dhe këta duhet të shkojnë për veprat e tyre të zeza që u kanë bërë shqiptarëve. Rama kërkon t’i diktohet gjykatës kushtetuese. Por unë e garantoj se vendimet e diktuara të të gjykatës që po bën do i paguash shumë shpejt, nuk jemi nga ata që po presim shpëtimin nga një prokuror apo gjykatës, do ta presin shqip nga ne, ne jemi shumë, do të jemi edhe më shumë, s’do të heqim dorë deri në largimin e Ramës nga qeveria”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Berisha protestë me një grusht militantësh: Nuk futemi në zgjedhje me Ramën! Po i bën presion Kushtetueses për Ballukun, do e paguajë