TIRANË- Për të gjashtën ditë radhazi, qytetarët janë mbledhur në protestë para Kryeministrisë për të kundërshtuar resortin në Zvërnec. Me flamuj dhe pankarta në duar, ata marshuan drejt Kryeministrisë duke brohoritur 'Revolucion', Shqipëria e shqiptarëve' dhe atdheu nuk është në shitje.
"Zvërneci është pika e kthesës mbarëkombëtare. Thirrja ime qytetare shkon për bashkim qytetar mbarëkombëtar. Thirrja ime qytetare shkon për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët e Preshevës, për shqiptarët e Çamërisë, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe për shqiptarët e Malit të Zi. Të nderuar qytetarë, sot është dita për rezistencë mbarëkombëtare shqiptare.
Kam edhe një përgjigje për Ramën: Për tokën shqiptare nuk ka negociata. Nuk ka pazar. Miqve të tu mund t’u japësh shtëpinë tënde në Surrel, por Shqipëria është atdheu i shqiptarëve. Kërkesa ime e fundit është: Jep dorëheqjen! Rama në burg, Berisha në burg", tha një protetsues.
Për të gjithë ata që pyesin kush e organizon protestën: Protestën e organizon mllefi i qytetarëve. Qytetarët janë tradhtuar nga politikanët. Këtë protestë e keni organizuar ju, me të gjitha të këqijat që keni bërë", tha një protestuese.
Protestë edhe në Vlorë, Korcë, Fier e Kukës.
Një ditë më partë protestuesit kërkuan anulimin e planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec, duke ripërsëritur 5 kërkesat. Protestuesit kërkuan shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe dorëheqjen e qeverisë.
Lajm në përditësim…
Protestës para kryeministrisë i është bashkangjitur edhe një emigrant.
“Jam një prej 2.5 mln emigrantëve. Në trupin tim rrjedh gjak çamërie.Shikoni 2.5 emigrantë janë jashtë shtetit. Secili prej tyre paguan 12 mijë euro taksa të shteteve të huaja. Kjo politikë i detyroi prindërit të më çonin jashtë shtetit.
Kam 25 vite jashtë. Synimi është që të na heqin dhe të na zëvendësojnë, por Shqipëria është e jona”, tha ai.
Pjesë e protestës kundwr investimit nw Zvwrnec ishte edhe njw nënëloke e mbështjellë me flamurin kuqezi që me duart që i dridheshin lexoi vargjet e një poezie të shkruar prej saj të titulluar “Zëri i Atdheut” ku ajo flet për nënat ‘qyqare’ shqitare që i kanë bijtë rrugëve të botës në emigracion
“O atdhe i dashur, o nëna Shqipëri
Bijtë e bijat që i rrite ccfarë po të shkaktojnë ty
Po të shesin copa copa pa të pytur fare
Qeshin e zgërdhihen si hijena tinzare
Se kështu u pëlqen me ty të bëjnë pazare
Cohu shqiptar atdheun ta shpëtojmë
Nga këlyshët e komunizmit që akoma sundojnë
Janë me të etur për pushtet se etërit e vet"
Protesta kundër resortit në Zvërnec u zhvillua edhe në Vlorë. Qytetarët ishin mbledhur në sheshin Adem Jashati, vetëm 500 metra larg sheshit të Flamurit ku Rama po zhvillon takimin me socialistët në kuadër të 35-vjetorit të PS. Protestuesit po marshojnë drejt zonës së Skelës, për në bulevardin Ismail Qemali.
Protestës para kryeministrisë iu bashkua edhe një vajzë që është në pritje të ëmbël. Ajo tha se në këtë tubim ndodhet për të ardhmen e vajzës së saj që do të vij në jetë.
“Jam krenare sot. Jam këtu për gocën që do të vij në jetë, për të ardhmen e Shqipërisë. Malet e bukura nuk ia lejomë t’ia shesim Amerikës. Shqipëria është e shqiptarëve, e fëmijëve që do të vijnë në jetë. Anullo projektin”, tha ajo.
Mes qytetarëve që folën në protestën para Kryeministrisë ishte edhe një i ri me aftësi të kufizuara, i cili nga karrigia me rrota mbajti një fjalim me tone të forta kundër qeverisë Rama
"Ai na tha jemi grek. Jo! Ai na quajti se jemi nga Irani. Jo! Ai na tha ‘jeni të futur’. Jo! A jemi shqiptarë? Serbisht ka folur Rama. Greqisht ka folur Rama. Shqip flasim ne. Kët vendosim ne. Unë sot në protestë kam ardhur për ata tre fëmijë që humbën jetën falë kësaj qeverie dhe patronazhistave. Ata na shkelin me rrota. 3 fëmijë vdiqën si shkak i këtij shteti që mbjell vdekje.
Ai mori një mesazh nga zoti vetë, përzuri rininë dhe sheshi sot është plot të rinj plot shpresë dhe ëndrra. Ndaloji po deshe o qeveritari me i kapur dhe më i korruptuar në rruzullin tokësor. Sot jam si person me aftësi të kufizuara, që përfaqësoj një kategori më të harruar në historinë shqiptare. Ti ke marrë një nisëm të sponsorizuar për terapitë hormonale. Nuk jam kundër, le të vazhdojë, por paralelisht ti ti personat me aftësi të kufizuara i ke lënë me 13 mijë lekë të reja për shoqërues. A do më shërbente djali yt për një orë me këtë shumë? Jo! Pse na keni harruar, nga sot këta të rinj s’do të dorëzohen derisa ti të largoheni ju që na keni marrë frymë 35 vite të largoheni nga vendimmarrja për jetët tona" tha i riu

Protestës së qytetarëve para Kryeministrisë për Zvërnecin iu bashkua edhe Alfred Çako.
“Sot e shoh në çfarë gjendje ndodhet Shqipëria, populli është si dragoi, duket sikur fle, por kur duket sikur fle, ai është më i rrezikshëm se kurrë për të gjithë diktatorët”, tha ai, ndërsa përsëriti thirrjen për dorëheqjen e tij.
Ai theksoi se shteti do vihet në shina dhe në ekuilibër, kur të ketë president të dalë nga populli, kur të ketë këshillin presidencial, ku kryeministri të mos ketë mundësi të jetë më shumë se dy herë kryeministër.
“Unë kam qenë në moshë tuaj kur kam qenë student i dhjetorit dhe kemi qenë të parët që kemi thirrur: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Nuk ishim kaq të zgjuar si ju sot. Sot e shoh në çfarë gjendje ndodhet Shqipëria, populli është si dragoi, duket sikur fle, por kur duket sikur fle, ai është më i rrezikshëm se kurrë për të gjithë diktatorët.
Qeveritarët këtu i kanë mbyllur sytë dhe veshët. Dua t’i them Edi Ramës se ka dy rrugë për t’u larguar, ose të largohet nga marrëveshja me popullin që ka dalë në këtë shesh të madh… rrugë të dytë nuk ka. Largohu dhe pastaj vendi ka nevojë për një kontratë të re sociale.
Kur shteti të vihet në ekuilibër, kur të ketë president të dalë nga populli, kur të ketë këshillin presidencial, ku kryeministri të mos ketë mundësi të jetë më shumë se dy herë kryeministër. Ky vend duhet vënë në shina dhe, mbi të gjitha, të jetë diktatura e popullit.
Sot këtu vendoset fati i 15 viteve të pakta, i atyre që do të drejtojnë Shqipërinë, duhet të jemi të kujdesshëm sepse këtu kanë sy e veshë të gjithë ata që janë të interesuar për Shqipërinë, si miqtë ashtu edhe armiqtë, ne gardhin duhet ta mbajmë me të dyja palët. Edi Rama dorëhiqu! Të ndryshojë kodi zgjedhor”, tha ai.
Një tjetër vajzë humbi mes turmës para kryeminstrisë.
Vajza me emrin Vjosa që për herë të fundit u pa afër zonës së Piramidës, u gjet pas disa çastesh.
Protestuesit i kanë dorëzuar fëmijën Policisë.
Aktori Medi Malkaj ishte mes të pranishmëve në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku mbajti edhe një fjalim para qytetarëve të shumtë të mbledhur para Kryeministrisë, duke denoncuar 'rrugeçërit dhe qelbësirat' që kanë shkelur popullin me këmbë.
"Duhet të qëndrojmë në këmbë. Të kalojnë ata dhe të fshijmë ne këpucët në kurrizin e qelbësirave. E keni vënë re që atdheu ynë është ndarë në parcela? Po e shet tjetri Shqipërinë si do ai, por Shqipëria është pronë e shqiptarëve. Shqipëria është prona jonë, duhet të kujdesemi për të dhe të mos shikojmë rrugeçërit e qelbësirat që kanë shkelur me këmbë një popull të tërë. Ne do bëjmë si duam ne" tha ai
Një fëmijë i humbi nga sytë prindërve në turmën para kryeministrisë.
"Ka humbur një fëmijë në turmë", tha protestuesja.
Fatmirësisht ai u gjet pas disa minutash.
"U gjet u gjet", tha më vonë një tjetër.
Protestuesi i bëri thirrje Perëndimorëve që t'i thonë ndonjë fjalë kryeministrit Rama për çështjen në Zvërnec.
“Jemi këtu se po festojmë një dasmë të madhe. Kam një thirrje të madhe për perëndimorët. Kur njëri na prish dasmën e pyesim si e do me të mirë apo me të keq . Pastaj e nxjerrim me shqelma nga dasma. I them këtyre Perëndimorëve t’i thonë ndonjë fjalë këtij zotërisë tonë", tha ai.
Një nga protestueset që mori fjalën para Kryeministrisë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama duke thënë se qeveria që ai drejton nuk përfaqëson dëshirën e popullit. Ajo gjithashtu kërkoi anulimin e një sërë ndryshimesh ligjore, që sipas saj po dëmtojnë pasuritë natyrore dhe pronën publike. Ajo u shpreh se duhet të anulohen ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, duke sjellë si shembull Nartën, ndërsa kërkoi edhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe Paketës së Maleve. Sipas protestueses, këto ligje po favorizojnë interesa të caktuara në dëm të qytetarëve dhe pasurive të vendit.
“Kini kujdes se do tentojnë ta na quajnë të përccarë. Nuk jemi të përqarë, jemi një trup i vetëm që kemi një kërkesë: Rama ik. Nga një protestë e cila nisi nga indinjata kur sheh se si shteti është i pafuqishëm përballë kriminelit që tërheq zvarrë qytetarin është kthyer në një protestë mbarë popullore të të gjithë njerëzve që kërkojnë një Shqipëri tjetër, që është e jona: Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve! Nga këto 6 ditë proteste, ne kemi shumë arsye për të protestuar dhe duhet të bërtasim më fort për të gjithë shokët që ikën në emigrim dhe të punojnë në rrugët e botës. Protesta nuk ka një grup që e drejton, por ka kërkesa të qarta që janë artikuluar. Kërkohet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Rama dhe e gjithë qqeverisë që nuk përfaqëson më dëshirat e popullit. Duam të anullojmë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura që i hap rrugë shkatërrimit të tyre sicc ka ndodhur me shkatërrimin e Nartës. Narta është e jona. Kërkojmë anulimin e ligjit për investitorët strategjikë që po grabit pronën publike dhe po ua jep këtyre njerëzve që janë të pushtetit. Shqipëria është e jona. Kërkojmë anulimin e Paketës së Maleve që i grabit malet tona dhe ua jep biznesmenëve.” tha një protestuese
Edhe qytetarët e Korçës i janë bashkuar protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.
Në fjalën e tij, një nga protestuesit tha se ky tubim nuk bëhet vetëm për Zvërnecin.
“Ne nuk jemi këtu vetëm për Zvërnecin. Zgjohuni se keni gjak shqiptari. Studentët që hodhën poshtë komunizmin ishin pa bukë në bark, ju jeni me AMG. Mos lejoni asnjë parti apo aktivistë këtu kjo është protestë e popullit”, tha protestuesi.

Teksa protesta për Zvërnecin po vijon para Kryeministrisë, një nga protestuesit ka njoftuar organizimin e dy tubimeve të tjera gjatë ditës së nesërme. Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe mediave, ajo tha se protesta e parë do të zhvillohet në Vlorë në orën 11:00, ndërsa në mbrëmje, në orën 18:00, qytetarët do të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
"Jemi një grup i vetëm që kemi një kërkesë shumë të thjeshtë: “Rama ik’ . Shqipëria është e e shqiptarëve jo e pushtetarëve" tha ajo.
Ka nisur protesta për Zvërnecin para Kryeministrisë. Në ditën e gjashtë një protestuese tha se në këtë protestë ka vetëm shqiptarë dhe njerëz të mirë.
“Pushteti ka tentuar ta deligjtimojë protestën. Në fillim na thanë s ejemi grekë, pastaj rusë, qoftë edhe iranianë. Pushtetit që i ka ardhur fundi nuk e ka kuptuar që këtu ka vetëm shqiptarë të mirë. Kjo është vetëm e qytetarëve dhe e njerëzve të mirë. Ne jemi protesta, ju jeni protesta. Shqipëria është e jona.
Po protestohet kudo ku ka shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve jo e pushtetarëve. Për 35 vjet na kanë mashtruar se mund të kemi një Shqipëri tjetër”, tha një protestuese.

Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër projektit në Zvërnec, protestuesit kanë mbërritur para godinës së Kryeministrisë, pas marshimit të nisur nga sheshi “Skënderbej”.
Të mbledhur përballë selisë së qeverisë, ata po artikulojnë kërkesat e tyre, duke kërkuar mes të tjerash dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Protesta kundër planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec po zhvillohet për të gjashtën ditë radhazi, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kundërshtojnë edhe ndryshimet ligjore që, sipas tyre, prekin zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore të vendit.
Komente
