Gjykata e Fierit ka ndryshuar masën e sigurisë për dy të arrestuarit që dhunuan administratorin e një portali mbrëmjen e së shtunës. Për efektivin e policisë së Roskovecit që tashmë është pezulluar, Angjelo Bardhi gjykata ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje. Ndërsa për shokun e tij Daniel Rista ka vendosur që ta mbyllë në shtëpi.

Report Tv solli pamjet e momentit kur dy personat futen me pranga në duar, maskë dhe duke mbuluar kokën u futën në gjykatë, e cila u ndryshoi masën në më pas dalin të shpenguar, pa pranga dhe njëri prej tyre, Rista kishte hequr maskën. Dy personat u arrestuan ditën e shtunë, pasi i bënë pritë dhe dhunuan administratorin e një portali, Xhoel Osmënaj.

Momenti kur dolën nga gjykata, pa pranga dhe Daniel Rista pa maskë

Por si ndodhi ngjarja dhe cili ishte shkaku? Motra e Daniel Ristës ishte në shoqërinë e administratorit të portalit, Xhoel Osmënaj që mendohet se ka qenë edhe shkak i sherrit. Pas ngjarjes Xhoel Osmënaj tha se vajza që ishte në makinë nuk ka lidhje me ngjarjen, teksa shprehet se autorët i njihte thjesht si fytyrë dhe nuk e di motivin se përse është qëlluar.