Në një kohë që institucionet akuzojnë njëra - tjetrën se nuk ka Roje Bregdetare profesionist, Report TV kontaktoi me njërin prej tyre për të mësuar më tepër për fatin e tij dhe të 42 rojeve të tjera që u trajnuan vetëm në një projekt në një vit, në Malin e Zi.
 
Tedi Pikli është një ndër ta që u trajnua dhe u certifikua për të shpëtuar jetë njerëzish.

"Jemi trajnuar po nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për ndihmën e parë në plazh. Trajimin e kemi krye gjatë një jave në Malin e Zi dhe provat ishin cilësore sepse na përgatisin si të vepronim më mirë në terren", thotë Pikli. 
 
Por pas një sezoni pune, askush nuk kishte më interes për të.

Në mbyllje të sezonit ai pohon se asnjë institucion apo subjekt privat nuk e ka kontaktuar për ta punësuar, edhe pse çdo kush mund ta gjente atë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

"Unë kam pasur disa raste, pasi punova 1 vit, për periudhën nga korriku deri në 15 shtator, kur është edhe mbyllja e sezonit turistik", shton i riu me profesion Roje Bregdetare. 
 
Pikli tregon se gjatë sezonit të punës ka pasur raste që ka shpëtuar jetë njerëzish. Ai tregon për rastin e një pushues nga Kosova që falë ndërhyrjes së tij arriti të mbijetojë.
 
"Kam rastisur dhe kam pasur fatin, sepse është gjë shumë e mirë që të shpëtosh dikë. ishte një mashkull reth moshës 30-vjheç nga Kosova dhe ndërhyra direkt. Kam qenë duke vëzhguar plazhin dhe shoh dikë që po bërtiste, në atë moment, pa mbajtur mend asgjë, pasi kam zbritur nga kulla kam shkuar direkt në det dhe kam ndërhyrë direkt", tregon Tedi Pikli.

Edhe pse kanë në dorë jetë njerëzish pagesa maksimale që i është ofruar ndonjë roje bregdetare ka qenë 50 mijë lekë në muaj.
 
Pikli tregon se paga është e mjaftueshme, por shumë shokë të tij tashmë punojnë jashtë vendit me certifikatën e marrë për të punuar në Shqipëri dhe paguhen shumë më mirë se sa këtu.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com