Kombëtarja e futbollit po kalon një moment shumë të mirë dhe është vetëm një pikë larg Euro 2024. Nga mbarë opinion sportive dhe nga vet lojtarët thuhet se trajneri Sylvinho ka një meritë të madhe. Shqipëria fiton 3-0 ndaj Çekisë dhe kryeson grupin E me 13 pikë.
Tashmë në ambientin sportiv pritshmëritë për skuadrën janë të mëdha. Ish-futbollistë të Shqipërisë kanë deklaruar se kjo skuadrën mund të bëjë shumë edhe në kampionatin Europian. Por gazetari Ervin Baku ka shkuar edhe më larg se kaq.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Report Tv Baku thotë se Shqipëria do të fitojë Europianin në Gjermani e më pas e argumenton këtë:
“Më quani edhe të “çmendur” por unë them se Shqipëria do të fitojë kampionatin Europian në Gjermani. Shqipëria i ka të gjitha elementët që të përsërisë suksesin e Greqisë në 2004-tën që doli kampione Europe. Ne kemi një skuadër me futbollistë që janë formuar dhe luajnë të gjithë jashtë. Kemi trajnerin më të mirë që kemi pasur ndër vite, kemi një tifozeri “vullkanike” dhe tashmë asnjë arbitër nuk na nëpërkëmb më” sqaron gazetari Baku.
Si shumë të tjerë edhe Ervin Baku e ka paragjykuar Sylvinhon në momentet e para por ai zbulon një prapaskenë.
“Në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Çekinë kam shkuar dhe I kam dhënë dorën Sylvinhos dhe I kam thënë “Të kërkoj falje”. I habitur më tha pse. Dhe ia shpjegova se të kam paragjykuar pa nisur punën në skuadrën tonë” rrëfen gazetari Ervin Baku.