TIRANË- Shpejtësia mbi normat e lejuara dhe drejtimi i mjetit në gjendje të dehur vijon të jetë një problematikë që haset shpesh tek shoferët. 35 shoferë të gjobitur, 16 patenta të pezulluara dhe 3 drejtues të arrestuar. Ky është bilanci i ditës së djeshme pas kontrollit të ushtruar nga policia përgjatë 5 orëve gjatë mbrëmjes së kaluar në Tiranë.
Përkatësisht, në aksin rrugor Sauk-TEG janë konstatuar 8 shoferë që lëviznin me shpejtësi deri në 163 km/h, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit. Sakaq, ndaj tyre janë marrë edhe masa të tjera ndëshkuese duke iu zbritur nga 3 deri në 6 pikë nga patenta, si edhe iu është vendosur gjobë nga 10 mijë lekë deri në 26 mijë lekë. Ndërsa, 10 shoferë të tjerë janë ndëshkuar me masë administrative nga 6 mijë lekë në 12 mijë lekë, pasi janë konstatuar duke udhëtuar me shpejtësi deri në 127 km/h.
Ndërkohë, 4 shoferë kanë rënë në pranga mbrëmjen e djeshme sepse 3 prej tyre po drejtonin mjetin në gjendje të dehur, ndërsa 1 po udhëtonte pa patentë. Si pasojë e drejtimit të makinës nën efektin e alkoolit janë gjobitur 17 shoferë me nga 5 mijë lekë deri në 15 mijë lekë.
Policia iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si edhe mos të drejtojnë mjetet në gjendje të dehur në mënyrë që të ruajnë vetën dhe të tjerët rreth tyre.