Më shumë të rinj të papunë, Pedagogu: Nuk studiohet nevoja e tregut! Rinia të mbështetet me grante

TIRANE- Më shumë se 44.7% e rinisë shqiptare (15-29) është ekonomikisht jo aktive, duke bërë që në vend të ketë praktikisht më shumë të rinj të papunë, sesa në punë.

Referuar të dhënave, aktualisht janë të punësuar vetëm 253 mijë të rinj të moshës 15-29 vjeç, ndërkohë mbi 71 mijë janë të papunë të deklaruar, dhe afro 263 mijë të tjerë konsiderohen jo-aktiv. INSTAT, thotë se në kategorinë jo-aktive përfshin edhe studentët që aktualisht nuk punojnë, por ekspertët pohojnë se ka edhe shkaqe të tjera për këtë situatë.

“Joaktiv janë ata të rinj të cilët nuk janë pjesë e statistikave si të punësuar, që do të thotë pjesa më e madhe e tyre janë kontingjent informaliteti, mund të punojnë por pagën e marrin në dorë cash. Pastaj janë edhe pjesa e rinisë së demotivuar. Është edhe emigrimi që nuk reflekton në shifrat zyrtare, si emigracioni i paligjshëm, ose emigrimi me tremujor gjë që ndikon në këto përqindje”, shpjegon eksperti për çështjet e punësimit Erion Muça.

Kjo grupmoshë 15-29 vjeç ka nivelin më të lartë të papunësisë në vend me 22% sipas INSTAT.

“Të gjitha nismat subvencionuese ndaj sipërmarrjes nuk kanë reflektuar në rritjen e nivelit të punësimit të të rinjve”, thotë Muça.

Eksperti për çështjet e punësimit Erion Muça, pohon se shkak për këtë situatë, ku edhe të diplomuarit mbesin të papunë, është mungesa e këshillimit të karrierës e studimit të tregut.

“Ndërhyrja duhet të jetë jo vetëm në këshillimit të karrierës, por edhe me karakter riparues për të përmirësuar mungesën e përputhjes mes kërkesës dhe ofertës për punë në treg. Vendimmarrja për të vazhduar një degë të caktuar universitare apo një program studimi duhet të jetë jo vetëm proces reflektimi i brendshëm i maturantit, përmes këshillave që duhet të marrë, për të kuptuar se si duhet të krijoj ekuilibrin mes talentit dhe pasionit që ka dhe nevojave të tregut jo vetëm në Shqipëri por kudo”, tha eksperti.

Eksperti është skeptik edhe për lehtësitë fiskale të paralajmëruara nga Ministria e Financave për këtë kategori të shoqërisë.

“Sot të rinjtë kanë më shumë mbështetje dhe motivim përmes fuqizim të platformave të zbulojnë dhe zhvillojnë talentin. Që të kenë mundësi që përmes talentit të mund të kenë një punë dhe të arrijnë suksesin që presin. Granatet, programet e inkubimit të biznesit, mbështetja për start-up, do t’i ndihmonte ata drejt talentit të tyre, dhe ne duhet të pranojmë se çfarë nevojash ka tregu i punës”, thotë Muça.

Vetëm në vitin e kaluar nga tregu i punës dolën më shumë se 21 mijë të rinj, pasi në fund të vitit 2022, rezultonin të punësuar mbi 274 mijë persona të moshës 15-29 vjeç.

PUNËSIMI I TË RINJVE 15-29 VJEÇ
Të punësuar     253,516 të rinj
Të papunë          71,610 të rinj
Jo aktiv             262,729 të rinj
PUNËSIMI I TË RINJVE 15-29 VJEÇ
Viti 2022           274,526 të punësuar
Viti 2023           253,516 të punësuar
Rënia               - 21,010 të punësuar

S.G/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Sulmi në metronë e Londrës, vdes 13 vjeçari, 4 të tjerë në spital

Sulmi në metronë e Londrës, vdes 13 vjeçari, 4 të tjerë në spital