TIRANË- Sezoni veror që po afron e gjen sërish Vlorën në krizë për punëtorë. Operatorët turistik po kërkojnë fuqi punëtore kryesisht nga Azia, edhe kanë eksperiencë të keqe nga vitet e kaluara, pasi punëtorët nga Linja e Mesme braktisën punën dhe u larguan ilegalisht drejt vendeve të BE-së.

“Këtë vit është akoma më e theksuar mungesa e punëtorëve. Kemi lidhur kontrata me agjenci që sjellin punëtorë nga jashtë, por kostoja e tyre është e lartë”, tha  Vasil Bedinaj operator turistik.

Situata për burimet njerëzore është kritike. Po ka pasur raste që janë larguar pa njoftuar bizneset”, tha Anisa Ceno administratore hoteli.

Hotelet e restorantet në Vlorë kanë nevojë për të gjitha profilet e punës që nga pastrues e deri tek kuzhinier apo kamarier.

“Të gjithë ata që po kërkojnë punë u them të aplikojnë sepse Vlora ka turizëm gjatë gjithë vitit dhe marrim punëtorë me kontrata pune”, u shpreh Vasil Bedinaj operator turistik.

“Ne duam të thithim punëtorë nga tregu shqiptar, por s’ka pasur kërkesa, edhe pse pagat janë më të mira”, tha Anisa Ceno administratore hoteli.

Pavarësisht vështirësive për punëtorë, Vlora pritet të jetë destinacioni kryesor për turistët e huaj. Numri i rezervimeve është rritur me 25 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.