Në ditëlindjen e Skënderbeut, Sali Berisha ka përkujtuar Heroin Kombëtar duke thënë nga një aktivitet në Krujë se me të “lindi shteti i shqiptarëve.”

Kryetari i PD nderoi figurën e tij dhe kontributin e pashoq në mbrojtjen e Shqipërisë dhe Europës.

Skënderbeu ishte dhe është habia e shekujve se si një njeri, me pak njerëz, pa mbështetje, i qëndroi perandorisë më të madhe të kohërave. I qëndroi dhe e mundi atë me 25 beteja. Skënderbeu është legjendar në mbrojtjen që i bëri Europës. Pa luftërat e tij, osmanët do kishin hyrë me kohë në zemër të Europës”, tha Berisha.

Por nuk munguan as deklaratat e zakonshme kundër qeverisë Rama duke e quajtur si një pushtim më të egër sesa osmanët.

“Një pushtim tjetër, ndër më të egrit që ka njohur historia, detyroi si kurrë ndonjëherë më parë 47 përqind të shqiptarëve të largohen në 10 vite nga Shqipëria. Dhe ky nuk është një sulltan osman, jo, ky është një argat i Beogradit, për shqiptarët më i zi shumë herë se Gjeorgjeviçi, më i zi se Vuçiçi, më i zi se Çubrilloviçi. Sepse me qëndrimet e tij ndaj shqiptarëve, ky ka tejkaluar Vuçiçin”, tha Berisha duke vijuar ta quante Ramën “Ballaban” e “Hamza.”

Më pas, Berisha ‘ndërron’ mendje dhe thotë se “Ballabani duket lule” në krahasim me Ramën, të cilin e akuzoi sërish për vjedhje dhe shkaktar të largimit të Shqipërisë nga BE.

Në fund, duke u frymëzuar nga Heroi Kombëtar, edhe pse ndryshe prej tij, mbështetësit në protesta e foltore i ka gjithnjë e më në rënie, u shpreh:

“Të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë, gjer në shpëtimin e plotë të Shqipërisë, gjersa të bëjmë qytetarët shqiptarë të liri ashtu si prijësi i tyre i përjetshëm i tyre, Skënderbeu”, përmbylli Berisha.