Medet... medet... !Thirrja vrastare e
Euripidit në Teatrin Eksperimental

Medet... medet... !Thirrja vrastare e<br />Euripidit në Teatrin Eksperimental<br>
Medet... medet... ! – vjen thirrja ushtuese, therrëse, vrastare në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në tragjedinë “Medea” të Euripidit, përkthyer nga Viktor Zhusti, venë në skenë nga regjizori grek Dimitris Mylonas, me një trup të zgjedhur aktorësh. Fare mirë, i plotë do të shqipërohej, "Kuku... kuku medet ç'na gjet” ! Gjëma trondit shoqërinë greke, ku një krim detyron vendosjen e moralit. Dhe nuk është një krim dosido. Nëna vret dy fëmijët e saj. Pse ? Diçka e rëndë duhet të ketë ndodhur.

Duket si krim pasioni, por nuk është i tillë. Fabula nuk ngrihet as mbi një moral konvencional, as nuk vjen si ego e gruas së tradhëtuar, edhe pse ka nënshtresa të brendshme të natyrës njerëzore. Pasioni e kthen dashurinë në urrejtje dhe urrejtja pjell krimin. Kjo është dukja. Krim në Pallat. Me krimin ishte mësuar shoqëria. Tashmë me anë të tij kërkonte të vendiste një moral të ri. Letërsia e madhe antike greke dhe shembullin e madh të nënshtresave që gëlojnë në veprat artistike. Si të tilla ato janë të ndara në lojë të përditshme, në jetësim të ngjarjes dhe në thellësi dalin idetë e reja të kohës.

Medea endet ndërmjet viktimës, krimit, pasionit, pak e marrosur nga dhimbja e fyerja, tej të panatyrshmes. Medea, nēna e dy fëmijve është tradhëtuar nga Jasoni, babai i fëmijve. Diçka e rëndomtë për kohën, ku burri e shpreh pasionin e tij në çdo grua që mundet.

Ndërsa Jasoni me ambicie shkon drejt pushtetit, ajo i gjendet pranë. Për Jasonin martesa ka qenë thjesht një kapërcim drejt pushtetit dhe kur kupton se Medea nuk ka se çfarë t’i japë e largon. Të dy shfaqin veset njerëzore, por drmama ngrihet mbi to. Me mjeshtëri autori e drejton tehun drejt familjes dhe si kirurg kërkon të presë pabarazinë, duke i dhënë përparësi familjes.

Por Medea është ndryshe, duke shfaqur edhe dobësitë njerëzore. Ajo dashuron besnikërisht, është bashkëshorte, që bën çdo gjë për burrin dhe famijen deri në të pamundurën, pranë krimit, është Toka që ushqen, rrit dhe mban familjen. Jasoni i shoqi, nuk është i kësaj mendjeje. Nuk njeh dhe nuk pranon Familjen apo më mirë e do të cunguar, të manngët, pra ai dhe fëmijët si vijimësi trashëguese. Kaq është kuptimi i tij për famijen. Këtu fillon lidhet nyja e zhvillohet konflikti, drama në shtrimin e pyetjes, se kush do të fitojë dhe kush duhet të fitojë. Forca (kush do të fitojë ?) apo e reja (kush duhet të fitojë ?). Rrjedha ka një drejtim drejt fundit tragjik.

Pyetja rri pezull gjatë gjithë kohës. Drama kthehet në tragjedi dhe kërkon kurbanin e rradhës.

Veprat e mëdha edhe pse të krijuar në mugëtirë të njerëzimit, kanë tharmin e fuqishëm që rezatojnë ide të reja në çdo kohë dhe si të tilla risillen në skenë çdo herë e çdo kohë.

Medea vendos të hakmerret, duke i prerë vijueshmërinë e gjakut, dmth trashëgiminë, si në Kodin zakonor shqiptar, ku trashëgimi shkon për gjak (babai) dhe jo për t’amël – qumësht (nëna). Hyrja e saj në skenë vendos edhe fatin e dramës. E gjithë forca lëvizëse, është Fati i femrës. Vjen si kërkesa e madhe për të zenë vend në shoqëri. Dhe pse është e huaj “barbare”, Medea e kërkon.

Në mëdyshjet e saj ajo mbështetet nga kori, dmth nga opinioni i shoqërisë.

Jasoni – Medea është dyshja fshikulluese, ngërthimi dhe zgjidhja e konfliktit. Një kohë të njejtë. Më pas të ndarë. Jasoni, përfaqësues i moralit burrëror, si zot urdhëronjës, i gjithpushtetshëm, jo famijar. Medea e reja qe dhunshëm kërkon të futet në shoqëri.

Familja dhe fati i saj sillet në ajër si drithërimë, sepse koha po e kërkon, vendosjen e qelizës bazë. Edhe pse personazhet vijnë nga sëra e lartë e shoqërisë, drama është njerëzore, e të gjitha shtresave. E vënë në pallatin mbretëror, autori kërkon, që ata të japin shembullin të parët, në mënyrë që morali i ri të bëhet normë dhe të ndiqet nga të tjerët.

Morali i familjes, si e drejtë, dalngadalë kthehet nga Jasoni e Mbreti tek Medea. Ky kthim i së drejtës është i dhunshëm, i përgjakur, sepse po kërkohet diçka e re.

Krimi (vrasja e fëmijve) ndëshkohet, por shtrohet e shikohet si domosdoshmëri e vendosjes së një morali të ri: - Familjes. Tashmë ajo do të ishte e shenjtë dhe shenjtëria e saj u lind nga një krim nga më të tmerrshëm, i rënë mbi ata që që i japin formë e kuptim famijes: Fëmijët.

Luiza Xhuvani e solli gjithë tragjedinë në skenë, derdhi gjithë mëdyshjet, pasiguritë dhe nga çasti në çast dha rritjen e personazhit, duke u kthyer nga një viktimë në një korife, ligjëvënëse, që në fund përmbush misionin, që shoqëria i ka vënë.

Janë disa çaste magjie interpretimi, kur Luiza e shtrirë në skenë mbështetet mbi duar dhe pret "bubullimat" e Jasonit. Për minuta të gjata ajo dridhet e gjitha me sytë, që lotojnë vazhdimisht. Dora e djathtë, si gjethe plepi nën shi, merr drithërima të pafundme, që trandin ajrin e sallës dhe i futen në shpirt shikuesit, sa vjen një çast , kur të bëhet të bërtasësh e tē thuash:

- Boll ndaloni ! Nuk e shihni ajo po shkatërohet !

Sepse Luiza e përjeton rolin, në çdo pore të trupit, sikur ai të jetë krijuar enkas për të, apo me lojën e saj e bëri atë të vetin ? Ndoshta të dyja. Nënë me dhimbje të thellë dhe dhimbjen e saj ajo e shpërfaqi në skenë me mjeshtëri të madhe artistike.

- Bravo Luiza !

Roza Anagnosti çel siparin dhe me lojën e saj, duke interpretuar gjithë sharm e bukuri, me të forur skenike të mbushur, të plotë, të qartë, të kuptueshëm dhe jep sigurinë e shfaqjes, e gjithë asaj që do të vijë më pas. E gjallë, e plotë, shumë lëvizëse, e qendrueshme dhe shpërthyese me staturë plasike të fut në vorbullën e tragjedisë, ndërsa Ahmet Pasha, që edhe i i njeh çdo centimetër skenës me drithërimet e buzës, me emocion shpreh dashurinë ndaj dy kërthizsëve, bijve të Medeas.

Viktor Zhusti autoritar në skenë, me zërin me një timbër të veçantë, që mban brenda gjithë shkulmet e bregdetit, bën gati përplasjen e pritshme.

Alfred Trebicka e ngre figuran e Jasonit me kujdes dhe nën drejtimin e koreografisë bashkë më lidhje - zgjidhjen me Medean, jep ulje ngritjet e konfliktit. Gjetje e bukur, shteruese në dhimbje ishte akti i mësimit të vrasjes së fëmijëve në britmën ngjethëse të humbjen së trashëgimtarëve, shprehu gjithë dhimbjen e një babai nga vrasja tragjike përtej kufirit njerëzor.

Kristian Koroveshi solli një personazh tejet dramatik. I kuruar me kujdes me një grim ku kullon gjaku i vrasjes së Mbretit dhe shemrës së Medeas, ai ngre tonat tragjike me një interpretim dhimbës.

Edhe pse episodik Gjergj Mena në rolin e Egjeut, Mbretit të Athinës, plotësoi galerinë e personazheve dhe mbyll ciklin e tragjedisë.

Emocionuese ishte edhe loja e dy fëmijve që erdhi bukur, lidhese me subjektin me mbresa dhe jetësore.

Regjizori Dimitris Mylonas e përthyen dranën në një lojë me ulje e ngitje si në dallgët e një deti të trazuar, ku vlon pasioni, urrejtja, dashuria dhe mbi të lapidar, ngre dinjitetin fëmëror, të drejtën e familjes dhe në qendër Nëna si shtyllë e saj.

Kështu përditësimi vjen në ditët tona, ku goditja familjes është e ashpër, lodhëse, thuajse shkatëruese. Duke ruajtur strukturën antike në raportin kor – korife, arrin të kthejë korin në personazh (bartës të opinionin shoqëror, muri ku thyen kokën Medea dhe ku gjen mbështetje për veprimet.

Koreografia e Gjergj Prevazit shkojnë në forcim të kësaj linje. Ato shtatë vajza ishin trupëzuar në një të vetme. Koreografia, kënga si vaj, hapjet e mbylljet e rrethit në qendër të së cilës mbetet e rrethuar si e zenë në kurth Medea, japin gjithë fshikullimet e opinioneve të shoqërisë së kohës. Herë “coptohen” duke dalë protagoniste dhe herë bashkojnë zërin në një personazh, lëvizin në përpëlitje ngulçuese të forta, rrisin ngarkesën emocionale të shfaqjes. Në lojë të bukur koreografike rrethojnë, dënojnë, shprehin opinionin, mbrojnë dhe shtyjnë Medean në veprim, thyen e heshtin para vrasjes.

Pas tyre ishte ankthi i gjithë qytetit, e gjithë shoqërisë.

Teatri vijon të vuajë skenografinë, ku kanë humbur tablotë, skenat. Kjo i ka bërë skenografët, që të shkojnë drejt një përgjithëimi skenografik simbolik, ku të ngërthehet aq sa mundet thelbi i dramës. Edhe pse kështu muri i lartë me derën e madhe në mes ishte një gjetje, që u jeptë liri të madhe në lëvizje të gjithë aktorëve që u ndihmuan edhe nga koreografia mbështetëse.

Duke iu rikthyer kuptimit të tragjedisë, në finale ndihet një zhurmë dhe porta, që mban të mbyllur moralin thyhet, sipër saj shfaqet Medea triumfuese. Poshtë i shoqi i thyer, i vrarë në shpirt dhe fizikisht dhe kryesorja tashmë i pafuqishëm për të ç'bërë atë çka si moral e ligj të ri Medea vendosi, duke kryer një krim mynxyrë...

Shpesh morali i një kohe është në fillesën e një krimi, sepse siç shkruante Shileri, "Një botë e re po lind gërmadhash" dhe që moralin e një kohe ta kthesh në gërmadhë, ajo nuk bëhet dot pa e shkatëruar atë !

Shoqëria greke e bëri me anë të teatrit, duke u mbështetur në mitologjinë dhe në dy kryeveprat e Homerit "Iliada" dhe "Odisea", teatër që siç shprehet Eskili, u ushqye me thërrimet, që la Homeri në sofrën artistike...

Shikuesi antik në shkallaret e mermerta, ndjente thellë në damarë rrjedhën e një jete ndryshe, edukohej dhe ndryshonte sjellje, koncepte, merrte ide të reja, sepse Teatri ishte Tempulli më i madh, më i rëndësishëm më i madh e më ndikues se si të mbledhësh sot bashkë radion, kenemanë, filmin, librin, televizionin, internetin... kur shoqëria greke, solli për herë të parë në gjendje embrionale, (ndaj dhe është e bukur, e thjeshtë, e kuptueshme), gjithçka që qytetërimi i mëpasëm do t'i vinte në moral.

Me rënien e siparit nuk pushuan duartrokitjet. Salla ishte plot dhe biletat e shfaqjes së rradhës ishin shitur të gjitha. (Studiues arti)

media

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë