Janë abetare origjinale që prezantohen për herë të parë para publikut. Ato dëshmojnë mbi zhvillimin e abetareve ndër vite dhe nxjerrin në pah kontributin e autorëve elbasanas në formësimin e traditës së mësimit të gjuhës shqipe.

Elbasani, konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të arsimit dhe kulturës shqiptare. Në kongresin e vitit 1909, mbajtur në këtë qytet, u vendos hapja e Normales së Elbasanit, shkolla e parë për përgatitjen e mësuesve. Për këtë arsye, studiuesit theksojnë se tradita arsimore e qytetit lidhet ngushtë me historinë e shkrimit dhe leximit në gjuhën shqipe. Natasha Shuteriqi Poroçani dhe Shqipe Shyti Haxhihyseni, prezantuan studimin e tyre mbi evolucionin e abetareve, duke ftuar publikun në një udhëtim historik nga botimet e para të Rilindjes Kombëtare deri tek tekstet bashkëkohore të mësimit të gjuhës shqipe.

“Elbasani ishte qyteti që kishte numrin më te madh të shkollave në këtë periudhë. Elbasani ishte qyteti që kishte numrin më të ndjeshëm të abetare-shkruesve. Ishin personalitete, të cilat jo vetëm kishin vënë firmën në aktin e pavarësisë, por ende pa u krijuar Kongresi i Manastirit kishin shkruar abetaret e para, kishin dhënë para nga xhepi i tyre, për mbajtjen e Kongresit të Elbasanit, për hapjen e Normales së Elbasanit. Ishin pjesëtarë, përveç se firmëtarë. Ishin pjesëtarë të Kongresit të Manastirit, ishin anëtarë të komisionit të përhershëm për ruajtjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Ishte një trevë qe përveç se kishte shumë shkolla, kishte dhe një frymë te qetë qytetarie.”, tha Natasha Shuteriqi Poroçani.

Në hyrje të studimit “Evolucioni i Abetareve në Elbasan” është vendosur një thënie e studiuesit Aleksandër Xhuvani: “Çdo gjë që del prej zemre shkon në zemër.” Një vend të veçantë në studim zë figura e Kostandin Kristoforidhit, i cili solli për herë të parë termin “abetar”.

Në vitin 1867 ai botoi një abetare në gjuhën shqipe të shkruar kryesisht me alfabet latin, duke përdorur edhe disa germa greke për tingujt që sot i njohim si germa dyshe.

Kristoforidhi jo vetëm e hartoi këtë abetare, por e shpërndau personalisht duke udhëtuar nëpër Shqipëri dhe duke u mësuar shkrim e këndim grave dhe fëmijëve. Ai ishte ndër të parët që kuptoi rëndësinë e përdorimit të dy dialekteve të shqipes dhe hodhi idenë për nevojën e krijimit të një gjuhe standarde. Kontributi i tij në zhvillimin e gjuhës dhe arsimit shqiptar mbetet themelor.

Në studim trajtohet gjithashtu edhe roli i Aleksandër Xhuvanit, i cili hartoi një nga abetaret më të plota të kohës. Ai solli një konceptim të qartë të programit mësimor dhe një përshtatje të tekstit me zhvillimin psikologjik dhe moshën e nxënësve. Xhuvani kishte studiuar në Napoli dhe më pas punoi në Normalen e Elbasanit, duke zgjedhur të ishte mësues për t’u transmetuar nxënësve të tij dijet që kishte fituar jashtë vendit.

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe një tjetër botim i autoreve: një antologji për fëmijë me pjesë leximi nga abetaret e vjetra, ku janë përzgjedhur tekste të bukura të përdorura në abetaret e para shqiptare. Libri përmban mbi njëqind pjesë leximi dhe është ndarë në kapituj tematikë si: trupi dhe shëndeti, familja, puna dhe jeta, kafshët, shkolla dhe atdheu. Qëllimi i këtij botimi është t’u japë fëmijëve mundësinë të njohin gjuhën dhe frymën e teksteve të para arsimore shqiptare.