Medi Zena, këngëtari nga Elbasani
që i këndon Çanakalasë në shqip

Medi Zena, këngëtari nga Elbasani<br />që i këndon Çanakalasë në shqip
Në një rrëfim me Anadolu Agency, Zena flet për jetën dhe karrierën e tij artistike, si u njoh ai për herë të parë më këngën e Çanakalasë dhe peripecitë gjatë regjimit komunist.

Betejës së Çanakalasë iu janë kushtuar shumë këngë, ku jehona e tyre ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe këto këngë kanë depërtuar në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, si pjesëmarrës në këtë  luftë, nuk kishin si edhe të mos këndonin dhe trashëgonin këngët për Çanakalanë. Sot një ndër qytetet në Shqipëri që e ka bërë pjesë të tij këtë këngë dhe e ka trashëguar ndër breza të ndryshëm këngëtarësh është Elbasani, ndërsa njëri prej këtyre këngëtarëve të muzikës popullore shqiptare që ka kënduar këngën e Çankalasë është Medi Zena, i cili ka lindur në këtë qytet.

Në një rrëfim me Anadolu Agency, Zena flet për jetën dhe karrierën e tij artistike, si u njoh ai për herë të parë  më këngën e Çanakalasë dhe peripecitë gjatë regjimit komunist. Në vlerësimin e këngëtarit elbasanas, Medi Zena, Kënga e Çanakalasë pëlqehet shumë në të gjithë Shqipërinë, madje ai pohon se në Shqipërinë e mesme dhe veçanërisht në Elbasan nuk ka dasmë që të mos këndohet kjo këngë.

Ai tregon se familja e tij e ka patur traditë këngën, kështu që kjo traditë u pasua tek Mediu dhe vëllai i tij Demiri. “Ka qenë viti 1972 kur unë jam ngjitur në skenë për herë të parë. Ishte pikërisht festivali i parë i këngës popullore shqiptare dhe kam pas fillimisht një dueto me artistin e popullit, të madhin Bik Ndoja. Kjo ishte fillimi i karrierës time. Bashkë me vëllain pas një viti realizova një dueto  dhe kjo ishte kalimi nga Medi Zena në Vëllezërit  Zena. Edhe sot e kësaj dite ne vazhdojmë dhe kur ka aktivitete dhe ndonjë organizim marrim pjesë me kënaqësi”- tregon këngëtari Zena për AA.

-“Kënga e Çanakalasë pëlqehet shumë në të gjithë Shqipërinë”-

Por si fillon marrëdhënia e tij me Çanakalnë dhe konkretisht me këngën kushtuar kësaj beteje. Me këngën e Çanakalasë ai është “takuar” për herë të parë në Stamboll në vitin 1982. “Gjatë një vizite timen në Turqi në kthim nga Bursa jemi kthyer nga Çanakalaja. Ndërkohë kur kalonim afër Çanakalasë na tregonin se aty ishte bërë një luftë shumë e madhe dhe se kishte shumë dëshmorë nga Ballkani dhe veçanërisht shqiptar. Unë me këtë këngë jam takuar për herë të parë në Stamboll në vitin 1982. Një shqiptar nga Kosova që jetonte atje më dha një letër ku shkruhej kënga origjinale e Çanakalasë në shqip. Faktikisht kjo këndohej pak më ndryshe. Kënga përbëhet nga dhjetë strofa. Këtë letër e kam ruajtur që nga viti 1982 dhe deri më sot. Kënga që ne këndojmë sot për Çanakalanë nuk përkon më këtë tekst shumë pasi në Turqi kjo këngë është pak më e zgjatur”- shprehet për AA, këngëtari elbasanas Medi Zena.

Ai vazhdon rrëfimin e tij duke treguar se gjatë muajit të Ramazanti Bashkia e Bajrampasha shtroi një iftar në Elbasan dhe një grup i cili kishte ardhur nga Turqia i kërkoi të bënim një duet me këngën e Çanakalasë, në shqip dhe turqisht. “Ne do ta këndonim në shqip dhe ato në turqisht. Muzika ishte e njëjtë dhe nuk e kishim të vështirë të bënim këtë duet. Pas duetit Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini i cili është edhe një fans i kësaj kënge me habi më pyeti se sa ditë kishim punuar për këtë duet. Kënga e Çanakalasë pëlqehet shumë në të gjithë Shqipërinë, madje në Shqipërinë e mesme dhe veçanërisht në Elbasan nuk ka dasmë që të mos këndohet kjo këngë. Kemi dëgjuar shumë për Çanakalnë. Dimë shumë për ato që kanë ndodhur atje. Nuk më është dhënë mundësia të shkoj dhe të shoh nga afër, por do të doja shumë ta njihja atë vend”.

Zena jep edhe një mesazh për Turqinë dhe popullin turk që “populli turk duhet të qëndrojë i bashkuar ashtu sikurse qëndroi i bashkuar në luftën e Çanakalasë. Shqiptarët dhe Turqit kanë treguar me këtë luftë që janë vëllezër. Edhe ne sot duhet të jemi të bashkuar me popullin turk ashtu sikurse ishim në këtë luftë”.

-“Gjatë komunizmit na ndalonin të përdornim fjalë turke

Në kohën e komunizmit në Shqipëri ka patur më shumë prioritet kënga popullore pavarësisht se shpesh herë nuk lejoheshin të përdoreshin  disa fjalë, duke u quajtur ato si turqizma. Shpesh këngët nuk pranoheshin nëpër festivale, me pretendimin se tekstet e tyre nuk ishin të përshtatshme. Edhe këngëtari Zena pohon se merrni kritika nga autoritetet e kohës së komunizmit për shkak të përdorimit të fjalëve osmane.

“Në këngët e vjetra shqiptare ka pas shumë fjalë turke. Për shembull ne kemi një këngë që e këndojmë sot, ‘Çke moj fiti që po qan’ dhe babai im këtë këngë e këndonte në turqisht, pasi ai e përdorte gjuhën turke për qëllime të ndryshme. Ka disa këngë që origjinalen faktikisht e kanë nga turqishtja si ‘mora mandolinën dola në sokak’. Babai im ka ndërruar jetë në vitin 1958. Kjo ishte një fatkeqësi shumë e madhe për mua dhe vëllain që e ndiqnim atë nga ana e këngës dhe si rrjedhojë dhe shumë këngë të tij ë i kemi harruar ose nuk i mësuam dot”.

Sa i përket viteve të fundit, Zena shpreh shqetësimin e tij për mos respektimin e të drejtës së autorit, ndërsa sot këngët sipas tij kanë ardhur duke u deformuar dhe si shembull ai sjell muzikën “tallave”, që në këndvështrimin e tij e dëmton këngën popullore. Ai gjithashtu nuk pajtohet edhe me trendin e fundit të reduktimit të transmetimeve të këngëve popullore nga mediat televizive, pasi vlerëson se kënga popullore është burimi i të gjitha këngëve të tjera .

Zena shprehet se ka ma marrë pjesë në aktivitetet të ndryshme artistike në Turqi si dhe në vende të tjera të Ballkanit. “Unë kam marrë pjesë në shumë festivale jashtë vendit duke filluar që nga vendet e Ballkanit deri në Gjermani, Turqi, Suedi madje edhe në Amerikë, ndërsa kohët e fundit unë isha në Kosovë. Shkurtimisht aktivitetet tona kanë qenë të shumta brenda dhe jashtë vendit. Kënga e Elbasanit është e pranueshme në çdo vend ku ka shqiptarë. Kur në një eveniment përmendej emri i Isuf Myzyrit strofa e parë kalonte me brohoritje. Kënga elbasanase është pëlqyer gjithmonë, si në veri ashtu edhe në jug”.  Zena tregon se nga trevat shqiptare ka patur më shumë marrëdhënie të mira me Gjakovën pasi ky qytet është vendi që pëlqen më shumë këngën e Shqipërisë së mesme. 



Marrë nga Anadollu 

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Aksident në hyrje të autostradës, vetura ‘Seat’ del me shpejtësi nga rruga dhe bie në kanalin e ujërave të zeza! Shpëtojnë 3 të rinjtë (VIDEO)

Durrës/ Aksident në hyrje të autostradës, vetura ‘Seat’ del me shpejtësi nga rruga dhe bie në kanalin e ujërave të zeza! Shpëtojnë 3 të rinjtë (VIDEO)