"Irani po përgatitet të sulmojë Izraelin në ditët në vijim." Kështu janë shprehur burime nga udhëheqja izraelite për Washington Post.
Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, kërcënoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Teherahi do t’i përgjigjet sulmeve ajrore të Izraelit të 26 tetorit, që goditën bazat ushtarake të Republikës Islamike.
“Armiqtë, qofshin regjimi zionist apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, patjetër do të marrin një përgjigje shkatërrimtare ndaj asaj që po i bëjnë Iranit, kombit iranian dhe frontit të rezistencës”, tha Khamenei.
Ndërkohë, shteti hebre vazhdon sulmet në Rripin e Gazës. UNICEF raporton se gjatë 48 orëve të fundit, më shumë se 50 fëmijë janë raportuar të vrarë në sulmet në Jabalia, në veri të Gazës.