Një në 50 shqiptarë në Britaninë e Madhe janë në burg, shkruhet në një artikull të botuar në të përditshmen britanike ‘The Telegraph’.
Më shumë se 1,200 shqiptarë janë në burg, ndërsa në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 53 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët nuk kanë shtetësi britanike, sipas të dhënave zyrtare.
Shqiptarët janë në krye të listës, teksa pasohen nga shqiptarët e Kosovës, vietnamezët, algjerianët, xhamajkanët, eritreasit, irakianët dhe somalezët.
Shtetasit gjermanë, italianë, indianë, grekë, amerikanë, Sri Lanka, francezë dhe kinezë janë më të paktë në numër.
Është hera e parë që kryehet një analizë e tillë.
Deputetët e lartë konservatorë kanë kërkuar nga qeveritë konservatore dhe ato laburiste të publikojnë të dhëna si Danimarka dhe disa shtete të SHBA-së që do të mundësonin hartimin e tabelave, të cilat tregojnë nivelin e krimit të emigrantëve të çdo kombi.
Ndërsa të dhënat për kombësitë në mesin e popullatës së burgosur zbulojnë shkallën e krimeve të rënda të kryera nga shtetas që nuk janë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, informacioni për veprat penale të kryera nga migrantët të cilët nuk janë të burgosur burgosur nuk publikohen.
Një amendament i mbështetur nga qeveria e Rishi Sunak do t’i kërkonte Qeverisë që çdo vit të paraqiste një raport në Parlament që detajonte kombësinë, vizën dhe statusin e azilit të çdo shkelësi të dënuar në gjykatat angleze dhe të Uellsit. Projektligji u hodh poshtë për shkak të zgjedhjeve.
U argumentua se të dhëna të tilla do t’i mundësonin Ministrisë së Brendshme të ashpërsonte politikat e vizave dhe dëbimit për kombësitë që lidhen me shkallë më të lartë të krimit në Mbretërinë e Bashkuar.
The Telegraph përpiloi tabelën duke marrë të dhëna nga Ministria e Drejtësisë që tregon se janë 10,435 shtetas të huaj në burgje në Angli dhe Uells, krahasuar me 76,866 shtetas britanikë. Kombet me më pak se 20 persona në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar u përjashtuan nga analiza.
Shkalla e burgimit për shqiptarët ishte 232.33 për 10,000 njerëz ose një në 50. Kjo është llogaritur bazuar në të dhënat e regjistrimit që tregonin se 68.672 shqiptarë të lindur jashtë jetonin në Mbretërinë e Bashkuar./The Telegraph