/ATSH-AFP/ - Zgjedhjet legjislative të parakohshme, parashikuar më 25 janar krijojnë një klimë pasigurie dhe dilemash në Greqi, ekonomia e së cilës vazhdon të shqetësojë Evropën, nënvizoi sot shtypi grek.

Nën titullin "20 ditët e dilemave të vështira", e përditshmja liberale "Kathimerini" i gjykon këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e vendit duke nënvizuar se zona euro nuk do t'i rinegociojë marrëveshjet për reformat, ashtu si kërkon partia e majtë radikale "'Syriza", favorite në sondazhe.
E përditshmja "Ta Nea" (qendra e majtë), me tirazhin më të madh theksoi se zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen në një klimë pasigurie. Ajo kujtoi se sipas sondazheve të fundit, pjesa më e madhe e grekëve nuk dëshirojnë zgjedhje të parakoshme.

"Dilemë kombëtare, përgjegjësi apo populizëm", titron artikullin e saj e djathta "Eleftheros Typos" ndërkohë që "Gazeta e Redaktorëve" (e majtë) përshëndeti largimin e Samarasit duke theksuar se "ora e të majtës erdhi".

Sipas disa analistëve, zgjedhjet do të jenë shumë të polarizuara dhe dy rivalët kryesorë, Demokracia e Re e kryeministrit konservator, Antonis Samaras dhe Syriza e Alexis Tsipras, që avancon me rreth tre për qind, do ta kenë të vështirë të gjejnë aleanca për formimin e një qeverie koalicioni.
Zgjedhjet legjislative të parakohshme në Greqi u njoftuan sot pas dështimit nga Parlamenti në përpjekjen e tretë për të zgjedhur një president të ri të Republikës, funksionet e të cilit janë honorifike.

Maxhoranca parlamentare aktuale e koalicionit qeveritar e djathtë-socialiste e Adonis Samaras nuk ka mundur të marrë 180 votat e kërkuara nga 300 deputetë.
Në këtë rast, Kushtetuta parashikon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për t'i mundësuar maxhorancës së re parlamentare për të zgjedhur një president të ri.