Media nuk motivon marrëdhëniet
pozitive mes Shqipërisë e Greqisë

Media nuk motivon marrëdhëniet<br />pozitive mes Shqipërisë e Greqisë
Mediat shqiptare dhe ato greke mund të jenë një katalizator pozitiv për përmirësimin e marrëdhënieve të mira mes shqiptarëve dhe grekëve. Frank Hantke, Drejtor i Fondacionit "Friedrich Ebert" tha se shqiptarët dhe grekët kanë krijuar divergjenca të mëdha mes tyre për shkak të medias.

Kjo, u vu në dukje gjatë prezantimit të "monitorimit" të realizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare me temë, "Greqia dhe marrëdhëniet greko-shqiptare në median e shkruar shqiptare dhe atë greke".

Studimi nuk është gjë tjetër, por një monitorim 7-mujor i disa prej mediave kryesore shqiptare dhe greke. "Shqipëria dhe Greqia janë dy vende partnere, por marrëdhëniet i kanë mjaft të lëkundshme", tha Albert Rakipi, Drejtori i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, në nisje të prezantimit të studimit në fjalë.

Sipas tij, në 20 vitet e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve janë intensifikuar, por kanë pasur dhe divegjencat përkatëse. "Shqipëria dhe Greqia ka qenë gjithnjë një dashuri e vështirë dhe një bashkëpunim i domosdoshëm për të ardhmen rajonale, prandaj dhe analiza se si këto dy vende e vlerësojnë njëra-tjetrën përmes medias, ishte një pikë mbi të cilën mund të nisë kthimi pozitiv i kësaj marrëdhënie", nënvizoi Rakipi.

Frank Hantke, Drejtor i Fondacionit "Friedrich Ebert" tha se shqiptarët dhe grekët kanë krijuar divergjenca të mëdha mes tyre për shkak të medias. Sipas tij, media në vendin tonë nuk shërben si urë lidhëse mes dy kulturave, por hedh gjithnjë shashka për të nxehur gjakrat. Hantke tha se në media thuhen gjithnjë lajmet negative, dhe në rast se publiku ushqehet vetëm me lajme negative dhe imazhi për vendin nga ku burojnë këto lajme errësohet.

"Media duhet të jetë një pushtet i katërt, por në Shqipëri fatkeqësisht nuk është kështu. Në vendin tuaj media ushqehet dhe nis frymëmarrjen e saj nga politika dhe përfundon aty ku politika zgjat hapin e saj. Po të vesh re lajmet që mediat shqiptare japin për Greqinë janë vetëm "skandalet", siç i cilësojnë mediat në dëm të shqiptarëve, pasi është materiali më i konsumueshëm. Ndërkohë, shtoi ai, harrohet fakti se në Greqi ka shumë sipërmarrje greko-shqiptare. Ka shumë nisma rinore që jetësohen pikërisht nga shqiptarët në bashkëpunim me grekët. Pra, mediat duhet të nisen nga eksperiencat e qytetarëve dhe jo nga interesat politike", nënvizoi Hantke.

Andi Balla, Drejtor i Qendrës së Gazetarisë Ekselente Shqiptare tha se situata nuk është kaq e errët. "Gjatë 20-viteve të fundit mendimi që shqiptarët kanë për grekët dhe anasjelltas ka evoluar dhe kjo falë medias, e cila pasqyron jo vetëm lajme negative për fqinjët tanë dhe anasjelltas", tha Balla.

Gjetjet e studimit:
Studimi i realizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare është i ndarë në dy pjesë; mediat shqiptare dhe lajmet për Greqinë dhe mediat helene dhe lajmet për Shqipërinë. Sa i takon mediave të vendit tonë drejtuesit e studimit janë bazuar nga katër dritare mediatike kryesore: MAPO, PANORAMA, GAZETA SHQIP dhe gazeta javore TIRANA TIMES. Studimi është shtrirë në harkun kohor të shtatë muajve dhe janë përcaktuar disa fjalë kyçe si bazë për të gjetur lajmet që lidhen me vendin helen. Sipas studimit, gjatë periudhës 7-mujore është vënë re se ka pasur një fluks të lartë lajmesh për vendin grek, 225 të tilla, 213 në gazetat e përditshme, teksa 12 të tjerat tek javorja "Tirana Times". Majat e raportimit janë shënuar në janar, prill dhe qershor dhe kishin të bënin me tre çështje të veçanta. A) Presidenca greke në Këshillin e Europës dhe vizitat dypalëshe në vendin tonë. B) Çështja Kareli dhe C) Reforma Administrative me vëmendja tek çështja çame dhe Himara.

Sipas gjetjeve të studimit, mediat kryesisht mbulojnë çështjet politiko-sociale dhe shumë pak ekonomike, 62% me 30% të kampionit, duke dëshmuar dëshirën për të gjetur skupin (çështja Kareli).
Ndër gjetjet kryesore të studimit ishte fakti se lajmet janë raportuar me konotacion negativ 35% të kampionit, 28% konotacioni neutral, ndërsa artikujt quasi negativ dhe pozitiv përbënin 24% dhe 13% të lajmeve. Risi dhe përshtypje ishte fakti se po të hiqeshin lajmet që lidheshin me çështjen e Ilia Karelit (që është një ngjarje e izoluar dhe që nuk ndikon në marrëdhëniet afatgjata mes vendeve), vihet re se shumica e lajmeve ishte me konotacion neutral me 35% të shumës totale.

Ndërsa në rastin e presidencës greke lajmet pozitive mbizotëronin, duke kapur vlerën e 47% të shumës totale. Pra, sipas Sashenka Lleshaj, eksperte e Institutit për Studime Ndërkombëtare, një gjetje thelbësore e këtij studimi është fakti se lajmet lidhur me Greqinë ndryshojnë humor me një frekuencë mjaft të shpejtë, çka pasqyron dhe marrëdhëniet politike mes vendeve, por nuk përfaqëson kurrësesi interesin dhe marrëdhëniet afatgjata mes dy vendeve./ATSH/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit