Informacionet e publikuara nga Shqiptarja.com përbëjnë edhe lajmin kryesor të faqes së parë të medias investigative “Linkiesta”.
Ajo i referohet të dhënave të orëve të fundit mbi zhvillimet në Shqipëri pas publikimit të skandalit.
“Linkiesta” e cilëson më tej, djalin e Umberto Bossit si një njeri klandestin në Shqipëri.
“ Renzo Bossi nuk kishte leje qëndrimi në Shqipëri për të marrë diplomën: Ky është detaji i fundit që vjen nga Tirana, aty ku studentët janë rebeluar pas favorizimit që qeveria shqiptare i ka bërë djalit të ish ministrit të reformave, Umberto Bossi”, shkruan Linkiesta.
Sipas saj, skandali me diplomën rrezikon të krijojë një skandal diplomatic. Madje, situate mund të “vërë në siklet”, Lega Nord dhe vetë Bossin, i cili kohët e fundit ka bërë një betejë të vërtetë kundër lejeve të qëndrimit për të huajt në Itali.
Sipas ligjit shqiptar (vend, i cili nuk është anëtar i BE), “Trofta” duhej së paku të ishte resident në Shqipëri për të marrë diplomën.
Studentët shqiptarë kanë protestuar pas lajmeve që mbërrijnë nga prokuroria e Napolit.
“Linkiesta” i referohet deklaratave të “Aleancës Kuq e Zi”, të publikuara që prej mesditës në Shqiptarja.com për mundësinë edhe të protestave në shesh kundër ministrit të arsimit “Myqerem Tafaj”.
BOSSI STUDENT, POR PA LEJE QËNDRIMI
Sipas artikullit kryesor të “Linkiesta”, bazuar në informacionet e botuara në Shqiptarja.com ambasada italiane në Tiranë, Renzo Bossi nuk ka hyrë kurrë në territorin shqiptar, fakt i cili konfirmohet edhe nga qeveria shqiptare dhe universiteti. Veç datës së gabuar të lindjes, kur shkruhet 8 tetor 1988, ndërsa Trofta ka lindur në shtator, dalin edhe të reja të tjera.
Më tej “Linkiesta” i referohet edhe deklaratave të përfaqësuesve të universitetit “Kristal”, dhe rektorit Spiro për “studentin” Renzo Bossi.
KUSH ËSHTË LINKIESTA?
Linkiesta cilësohet si një prej mediave më prestigjioze italiane, sidomos në gazetarinë investigative.
E themeluar në vjeshtën e vitit 2008, kjo media online u ngrit nga dy gazetarë Andrea Tavecchio, Jacopo Tondelli e një profesionist, të cilët menduan se lajmet kanë nevojë të thellohen e të analizohen. Në afro 4 vjet kjo media ka zbuluar dhe analizuar fakte domethënëse për zhvillimet në Itali të karakterit politik, social por edhe ekonomik duke sjellë për opinionin public italian anën tjetër, përtej lajmit.
EDHE REPUBLICA.IT I REFEROHET SHQIPTARJA.COM
Një ditë më parë, pak orë pas publikimit të skandalit me diplomimin e Renzo Bossit, një tjetër media e njohur italiane, gazeta Republica, në variantin e saj online citoi Shqiptarja.com lidhur me reagimet që vinin nga Shqipëria pas lajmit të bujshëm.
(aq/shqiptarja.com)