Kryeministri Edi Rama, në shtator do të realizojë një vizitë në Serbi, sipas mediave serbe në zyrën e tij ka mbërritur ftesa zyrtare e homologut të tij Aleksandër Vuçiç. Tashmë mbetet vetëm të përcaktohet data e saktë e vizitës raporton agjencia e lajmeve "Danas".
 
Kryeministri Rama ka pasur në plan të zhvillojë një vizitë në Beograd disa muaj më parë, por është shtyrë për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u zhvilluan në muajin mars në Serbi.
 
Herën e fundit që një burrështeti shqiptar ka vizituar Beogradin ka qenë viti 1947, kur Enver Hoxha ishte i ftuar nga lideri i asokohe i ish-Jugosllavisë, Josip Tito.

media serbe rama
 

Në një intervistë për gazetën serbe “Danas” në muajin prill të këtij viti kryeministri Edi Rama shprehet se vizita e tij në Beograd do të realizohet në kohën e duhur, duke shprehur njëkohësisht mirëpritjen që i ka bërë kësaj ftese. Gjatë intervistës Rama flet për një bashkëpunim të ri me vendet e rajonit, ndërsa vlerëson marrëveshjen historike mes Serbisë dhe Kosovës, si një simbol të erës së re ballkanike.

Bushati: Vizita e Ramës në Serbi për çështje të rëndësisë së Lartë, si lugina e Preshevës
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati duke folur për ftesën e Vuçiç për Ramën ka bërë t ditur se do gjatë këtij takimi do të adresohen çështje të rëndësisë së lartë që kanë mbetur pezull siç është çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Gjithashtu sipas Bushatit do adresohen edhe një pjesë e marrëveshjeve që nga pala serbe ende nuk ka  marrë përgjigje, ndërsa ka konfirmuar që vizita do kryhet brenda vjeshtës.

“Kemi vullnet për të ecur përpara në marrëdhëniet me Serbinë, për të adresuar çështje që kanë mbetur pezull, sikundër elementë që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut, sidomos në shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Po kështu do të adresojmë një pjesë të marrëveshjeve që nga pala serbe ende nuk kemi marrë përgjigje. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të pretendojmë të krijojmë marrëdhënie në një stad të ri. Vizita e Kryeministrit Rama në Serbi do të realizohet brenda vjeshtës së vitit.  Kursi ynë në rajon është i qartë dhe Shqipëria ka pasur dhe ka prezantuar dokumente konkrete që forcojnë bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit që besojmë se kemi një të ardhme të përbashkët europiane. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në konferencën për Ballkanin që do të mbahet në Berlin.”- tha Bushati gjatë konferencës së përbashkët me homologun e Letonisë, Edgars Rinkevic.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)