Shtetet e Bashkuara po presin propozimin e rishikuar të paqes nga Irani, i cili mund të vijë deri nesër. Kështu kanë deklaruar për CNN burime pranë ndërmjetësuesve.

Donald Trump deklaroi të enjten se negociatat për t’i dhënë fund luftës me Iranin po zhvillohen “me telefon”, sepse “nuk bëhen më fluturime” prej 18 orësh drejt Islamabadit, pasi raundi i parë i bisedimeve ballë për ballë përfundoi pa marrëveshje dhe i dyti u anulua.

Trump pritet të marrë sot një raportim mbi planet e reja për veprime të mundshme ushtarake kundër Iranit nga komandantët, duke filluar nga admirali Brad Cooper, kreu i Centcom. Kjo konfirmon se ai po shqyrton seriozisht rifillimin e veprimeve ushtarake për të kapërcyer ngërçin në negociata dhe për të dhënë goditjen përfundimtare para përfundimit të luftës.

Ndër hipotezat, sipas Axios, është marrja nën kontroll e një pjese të Ngushticës së Hormuzit për ta rihapur për lundrim tregtar, një operacion i shpejtë për të siguruar uraniumin iranian të pasuruar në nivele të larta dhe sulme “të shkurtra dhe të fuqishme”.

SHBA ndërkohë synojnë të vendosin në Lindjen e Mesme sistemin e tyre të raketave hipersonike, potencialisht i përdorshëm kundër Iranit. Kjo do të shënonte përdorimin e parë operacional të kësaj arme. Kështu shkruan Bloomberg, sipas të cilit Komanda Qendrore e SHBA-së ka kërkuar transferimin në rajon të sistemit “Dark Eagle”, zhvillimi i të cilit është vonuar për një kohë të gjatë, me synimin për t’u dhënë forcave amerikane aftësinë për të goditur lëshuesit e raketave balistike thellë brenda territorit iranian.

Nëse miratohet, do të ishte përdorimi i parë operacional i një sistemi armësh hipersonike nga SHBA, një armë që ka pësuar vite vonesash dhe ende nuk është shpallur plotësisht funksionale.

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:32
Khamenei ashpërson retorikën kundër SHBA-ve: Vendi i vetëm për amerikanët në Gjirin Persik është në fund të detit

“Vendi i vetëm për amerikanët në Gjirin Persik është në fund të ujërave të tij” Kështu është shprehur Mojtaba Khamenei, sipas televizionit shtetëror iranian, në kuadër të Ditës Kombëtare të Gjirit Persik.

Në të njëjtën deklaratë, ai paralajmëroi edhe ndryshime të rëndësishme në kontrollin e një prej pikave më strategjike në botë. Sipas tij, “menaxhimi i ri” i Ngushticës së Hormuzit nga Irani do të sjellë “qetësi dhe progres”, si dhe përfitime ekonomike për të gjitha vendet e rajonit.

Khamenei theksoi se Teherani synon të eliminojë “abuzimet e armikut në rrugët detare”, duke lënë të kuptohet për një rol më agresiv në kontrollin e trafikut detar. Megjithatë, ai shtoi se vendet e rajonit ndajnë një fat të përbashkët, por “të huajt që bëjnë keq” nuk kanë të ardhme në këto ujëra.

Ora 12:22
Irani paralajmëron Perëndimin: Kontrollojmë 20% të naftës, Gjiri Persik u përket iranianëve

“Gjiri Persik u përket iranianëve.” Ky është mesazhi që erdhi nga  Mohammad Mokhber, këshilltar dhe ndihmës i figurës kyçe të Iranit, Mojtaba Khamenei, përmes një postimi në rrjetin social X, të cituar më pas nga mediat iraniane. Mokhber theksoi se Irani ka një rol vendimtar në energjinë globale dhe paralajmëroi për pasojat e çdo presioni ndërkombëtar.

“Kur ne kontrollojmë 20 për qind të naftës botërore dhe mbi 18 mijë miliardë metra kub gaz, një rrethim detar ndaj Iranit nuk do ta kthejë vendin në epokën e gurit,” deklaroi ai. Më tej, ai shtoi me tone kërcënuese se një veprim i tillë “do ta fusë sistemin e dominimit në epokën e ngrirjes”.