Kjo ndodh në një kohë kur liria e shprehjes po vihet në një vëmendje gjithnjë e në rritje në të gjithë botën – dhe është më e rëndësishme se kurrë.
Në fakt, Z. Eamon Gilmore, Kryetar i Radhës i OSBE-së, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Irlandës për Çështjet e Jashtme dhe Tregtinë, ka deklaruar që OSBE-ja konsideron si përparësi "të sigurojë që angazhimet ekzistuese të OSBE-së në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias vlejnë për të gjitha format dhe mjetet përmes të cilave ushtrohen këto liri".
Një deklaratë e tillë, e bërë rreth dy dekada pas rënies së komunizmit në Evropë, është një tregues i qartë që liritë politike, të cilat u futën në Evropën Lindore dhe Juglindore, jo gjithmonë ishin reflektuar plotësisht në media.
Sot, do të doja që të ndalem në disa aspekte të këtij dyzimi midis politikës dhe medias nga këndvështrimi i lirisë së shprehjes.
Për të filluar, le të sjellim në mendje që në demokracitë moderne, pa përmendur formalisht rolin e tyre në ligj, media shpeshherë shihet si “Pushteti i Katërt”.
Në sytë e qytetarëve të zakonshëm, media është po aq e rëndësishme sa qeveria, parlamenti dhe gjyqësori, pasi ata punojnë në një nivel të së njëjtës rëndësi, duke vepruar si “rojtarë” të së mirës publike.
Ritmi i shpejtë dhe vazhdimisht në rritje i zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror në dy shekujt e fundit, sidomos në drejtim të fundit të shekullit XX, jo vetëm që i ka dhënë të drejtë, por gjithashtu e ka bërë një përgjegjësi të madhe të medias vënien para përgjegjësisë të udhëheqësve politikë dhe parlamenteve.
Si rezultat i këtij detyrimi, media ka fituar fuqinë për të gjeneruar diskutime të hapura dhe për të ndihmuar në krijimin e opinionit publik lidhur me proceset politike.
Në fakt, opinioni publik mund të jetë dhe shpeshherë është ndikuar nga fuqia e medias.
Është e qartë që kjo "fuqi e dyfishtë" paraqet si mundësi ashtu edhe rreziqe për liderët politik.
Duke ecur mbi “kreshtën e një vale” mbështetjeje të gjeneruar nga media, disa politikanë do të arrijnë fitore në zgjedhje ndërsa të tjerë mund të humbasin mbështetjen kur bien nën të njëjtin sy vëzhgues të medias.
Ndër shembujt më të jashtëzakonshëm është ndoshta ai i Richard Nixon, i cili u bë i pari dhe i vetmi President i SHBA-së që u detyrua të japë dorëheqjen nga detyra si rezultat i gazetarisë investigative.
Pavarësisht kësaj, ndërsa teknologjia moderne ka ecur përpara, mediat janë bërë gjithmonë e më të varura nga burimet financiare në funksionimin e tyre.
Me prezantimin e komunikimeve satelitore dhe transmetimeve kabllore, gjatë dy dekadave të fundit, media ka kaluar nëpër një transformim thelbësor për sa i takon mënyrës së punës.
Ndoshta është edhe më mirë ta quajmë “revolucion”, duke pasur parasysh ndryshimet e pafundme.
Ndërsa mediat më parë përfaqësonin zërin e publikut si burimin përfundimtar të fuqisë politike, me nevojën për më shumë para për të mbajtur dhe zhvilluar punën e tyre, ato janë përfshirë gjithmonë e më shumë në botën e biznesit dhe financës.
Shpeshherë, ato janë shndërruar vetë në biznese të mëdha, duke pasur në lojë interesat e tyre ekonomike në proceset politike.
Është e qartë që kjo vendos kufijtë e lirisë së tyre politike, ndërsa i ndihmon mediat që të mbijetojnë ekonomikisht..
Edhe pse Shqipëria përqafoi liritë politike në fillim të viteve ‘90, përparimi i teknologjisë, sidomos teknologjisë së medias së transmetuar, i ka vendosur skenës mediatike në Shqipëri të njëjtat kushte financiare.
Si rezultat, ne shohim sot në Shqipëri shumë biznese mediatike që zotërohen pjesërisht ose plotësisht nga njerëz të botës së biznesit, të cilët, paralelisht, kanë interesa në sektorë të tjerë.
Sidoqoftë, kur njerëzit e biznesit, të cilët janë pronarë apo menaxherë të bizneseve mediatike, kanë marrëdhënie të mira me politikanët, ato marrëdhënie mund të sjellin në mënyrë të pashmangshme kufizime të lirisë editoriale.
Në të njëjtën kohë, duhet të ketë një ndërgjegjësim që mediat asnjëherë nuk duhet të zotërohen, drejtohen, apo menaxhohen, në mënyrë direkte dhe as indirekte, nga organet e shtetit ose qeverisë.
Nëse ky është apo do të ishte rasti, atëherë me të drejtë lind pyetja “Kush duhet ta kontrollojë median?”
Përpara se t'i jepet përgjigje kësaj pyetje, duhet të nënvizojmë se, si me anë të pronësisë apo me anë të parave të reklamave, media mund të "kontrollohet" dhe nga dy "pushtete" të tjera.
Së pari, është pushteti i konsumatorit, i cili, si marrës i shërbimit, është i aftë të kontrollojë median, duke refuzuar të blejë një gazetë ose duke mos ndjekur një program televiziv.
Këtij lloj "kontrolli", kuptohet, i duhet një kohë e gjatë për të pasur ndonjë ndikim të vërtetë.
Së dyti, është pushteti i medias.
Dhe kjo, do të thosha unë, është zgjidhja më e përshtatshme.
Për këtë arsye, në shumicën e shteteve perëndimore të qeverisura nga sisteme shumëpartiake, vetë mediat kanë ngritur struktura vetërregulluese.
Dhe unë do të dëshiroja të shihja struktura të ngjashme të funksiononin në mënyrë më efikase në Shqipëri.
Duke iu kthyer detyrës së rëndësishme që kryejnë mediat në shoqëritë moderne, nëse mundem, do të dëshiroja t'i referohem konceptit të demokracisë.
Edhe pse në vetvete është një nocion i ndërlikuar, demokracia është një sistem qeverisjeje i bazuar në diskutimin e mendimit të formuar lirisht.
Është një sistem në të cilin shoqëria civile vepron si një element kryesor i procesit të vendimmarrjes me anë të pjesëmarrjes aktive publike, mbarëvajtja e së cilës ndikohet nga vendimet politike.
Unë besoj se kjo është pika ku hyn në lojë roli i medias.
Për të qenë ta aftë të formojnë mendimin e tyre lirisht, qytetarët kanë nevojë të dinë se cilat janë faktet.
Në bazë të informacionit që ata marrin, ata do të jenë të aftë të vendosin se ku shtrihen interesat e tyre.
Njerëz që mendojnë njësoj dhe që kanë qëllime të përbashkëta munden gjithashtu të krijojnë grupe interesi për të ndjekur objektivat e tyre dhe për t’u përpjekur të ndikojnë në vendimmarrjen politike.
Megjithatë, në një mjedis ku media nuk arrin të sigurojë një informacion të tillë “faktik”, por ushqen interpretimet subjektive, ka shumë gjasa që të shfaqet një tablo e shtrembëruar e realitetit.
Nuk janë vetëm qytetarët individualë ata që duan të shohin se çfarë po përpiqen të arrijnë politikanët.
Është edhe shoqëria civile – një forcë e organizuar që përfaqëson zërat e pjesëve të ndryshme të shoqërisë, e cila mbështetet në raportimin faktik dhe të saktë të medias.
Shoqëria civile varet nga media në kuptimin që kjo e fundit duhet të shpërndajë mesazhe popullsisë së gjerë që tregojnë se si aktorë të ndryshëm brenda shoqërisë civile ndjekin objektivat e tyre, çfarë aktivitetesh ndërmarrin dhe si mobilizojnë grupet e interesit.
Po të shohim Shqipërinë në këtë kontekst, kuptojmë se ka ende shumë rrugë për të bërë.
Indeksi i Shoqërisë Civile 2010 shprehet se Shqipëria vuan nga nivele të ulëta qytetarie aktive, që do të thotë se shkalla e angazhimit të qytetarëve në nisma të lidhura me politikat është dimensioni më i dobët i shoqërisë civile.
Dhe ,ajo që është më e rëndësishme, media duhet të sigurojë një platformë për dialog politik të qytetëruar, të edukuar dhe racional midis drejtuesve dhe anëtarëve të partive politike, një platformë që i ndihmon qytetarët të identifikojnë ato politika që duan t'i mbështesin.
Duke mbajtur "standardin intelektual" në nivel të lartë dhe duke lejuar një shumicë këndvështrimesh të çështjeve thelbësore sociale dhe ekonomike që duhen shprehur në mënyrë të plotë dhe analitike, media mund të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të praktikave demokratike.
Mendoj se duhet të pranojmë që ka disa çështje serioze, të cilat duhen trajtuar për të siguruar funksionimin e medias në mënyrë të përgjegjshme, pluraliste, të lirë dhe të pavarur në Shqipëri.
Së pari, struktura aktuale e pronësisë së medias shqiptare pengon ndonjëherë raportimin faktik, të saktë dhe objektiv të lajmeve, si në median e shkruar dhe në atë elektronike.
Së dyti, mekanizmat vetërregulluese nuk ia kanë dalë mbanë të mbrojnë autoritetin e tyre dhe të sigurojnë angazhim ndaj standardeve bazë të etikës së gazetarisë.
Mungesa e një raportimi real po shkatërron besimin e publikut te media.
Nëse kjo tendencë vazhdon, media rrezikon të shndërrohet në një mjet “argëtimi në masë” dhe të humbasë rolin thelbësor në formimin e opinionit publik.
Së treti, ekziston edhe një boshllëk ligjor në lidhje me veprimtarinë e medias elektronike.
Ndërkohë që si media e shkruar dhe ajo elektronike vazhdon të zgjerojë praninë e vet në internet, rritet shqetësimi në lidhje me pronën intelektuale jo vetëm midis gazetarëve, por edhe brenda komunitetit artistik që ka lidhje me të drejtat e autorit.
Duket qartë nevoja për miratim të një ligji që rregullon praninë e medias në internet.
Së katërti, kushtet e punësimit të gazetarëve kërkojnë vëmendje shumë më të madhe.
Ka gjithmonë e më shumë raportime që gazetarë, të cilët punojnë në redaksitë e lajmeve të bizneseve të ndryshme mediatike, nuk kanë marrë pagën e tyre për muaj të tërë.
Kjo situatë çon në shkatërrimin e aftësisë së medias për të raportuar në kohë dhe në mënyrë të saktë.
Për këtë arsye, ka ende shumë punë për të bërë për të rritur standardet e gazetarisë dhe të medias shqiptare.
Si pjesë të mandatit të saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka trajtuar shumë prej këtyre çështjeve.
Prezenca, me anë të kontributit në rishikimin e projektligjit të medias elektronike, ka ndihmuar në përmirësimin e ligjit sipas standardeve evropiane.
Është dhënë ndihmë e qenësishme dhe për përpjekjet për të kaluar nga transmetimet analoge në ato numerike.
Ne financuam një vizitë studimore në Francë për stafin e sekretariatit teknik për t'i ndihmuar të përfitojnë nga përvoja në procesin e kalimit në transmetime numerike në atë vend.
Më vonë, punësuam një ekspert për të rishikuar strategjinë e qeverisë mbi dixhitalizimin dhe falë këtyre hapave, qeveria tashmë ka përfunduar strategjinë dhe është gati të fillojë me zbatimin.
Prezenca po zbaton një projekt me Unionin e Gazetarëve dhe Fondacionin Friedrich Ebert për të kuptuar rrethanat e punësimit në media.
Doktor Gjana,
Studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Nga këndvështrimi i Prezencës së OSBE-së, Shqipëria po bën hapa para në rrugën drejt integrimit evropian.
Por që ky udhëtim të përfundojë me sukses, të gjithë institucionet, ministritë, agjencitë, lëvizjet civile dhe media duhet të luajnë rolet e tyre deri në fund.
U përpoqa të sugjeroj sot se media ka një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe Prezenca është e vendosur të ndihmojë median në këtë rol.
Përpara se të mbyll fjalën, do të doja të ndalesha shkurtimisht në rolin e politikës në këtë proces.
Në fund të fundit, me sa kemi parë, media nuk punon e izoluar.
Dhe në Shqipëri kjo është shumë e dukshme.
Që media të jetë në gjendje të bëjë punën e vet në mënyrë të paanshme dhe objektive, duhet që klasa politike të respektojë dhe pranojë mbizotërimin e këndvështrimeve të ndryshme politike.
Megjithatë, pikërisht në ato raste kur partitë politike nuk arrijnë të tregojnë këtë lloj përqasjeje, ne shohim botën e medias të infektuar nga njëanshmëria politike dhe raportimi i pjesshëm.
Dhe ata që humbasin janë konsumatorët, veçanërisht kur kjo sëmundje prek pjesë të mëdha të medias.
Për këtë arsye është e rëndësishme që të ketë një legjislacion efektiv, i cili u lejon gazetarëve lirinë e shprehjes – të lirë nga frika politike dhe/ose nga gjobat ekonomike - që të raportojnë lajmet jashtë çdo ndërhyrjeje politike.
Por, ashtu si e përmenda dhe në fillim, kjo çështje mund të humbet po aq lehtë sa mund të fitohet, kështu që të gjithë duhet të tregohemi syhapur.
Më lejoni të citoj Thomas Jefferson-in:
“Çmimi i Lirisë është Vigjilenca e Përhershme”
Ju ftoj të gjithëve, ju ftoj juve si qytetarë të lirë të bashkoheni me ata që mbeten vigjilent.
(aq/shqiptarja.com)