Rrallë herë kishte ndodhur që një fjalë e vetme të kishte një efekt të tillë sa pohimi i bërë prej Cristiano Ronaldos se është i mërzitur tek Real Madrid. Në momentin që ai jua tha këtë gazetarëve padyshim që e ka pasur të qartë ndikimin që do të kishte në të gjithë botën e futbollit dhe veçanërisht tek drejtuesit e skuadrës.

Ndoshta kjo është arsyeja edhe pse vendosi të flasë. Pak kush e dinte se Ronaldo mbante brenda vetes një bombë që ishte gati të shpërthente nga momenti në moment. Presidenti i klubit Florentino Perez dhe krahu i tij i djathtë Jose Angel Sanchez u shokuan totalisht kur dëgjuan deklaratën e portugezit.

E përditshmja spanjolle Marça thotë se trishtimi i Ronaldos nuk mund të kurohet me para. Portugezi e ndjen veten me 10 milion euro në vit në të njëjtin nivel me Kakanë kur në fakt ajo çka japin në fushë nuk është e njëjtë. Ronaldo është më i shqetësuar për mungesën e respektit nga klubi, lojtarët dhe fansat. Marça vlerëson se një arsye për frustrimin është mungesa e mbështetjes nga skuadra në garën e tij për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në Evropë. Një tjetër fakt që besohet se ka ndikuar është edhe sistemi i zgjedhjes së kapitenit i cili është i bazuar tek vitet që një lojtar ka kaluar në skuadër. Ronaldo është i shqetësuar për faktin se shokët e ekipit nuk e shohin si një lider në fushë apo në dhomat e zhveshjes. Marça këmbëngul se Ronaldo ndjen se nuk kuptohet qartë sakrifica që ka bërë për skuadrën. I pyetur për Ronaldon, Kaka tha për median se "ajo çka mund të pohon është se Cristiano ka mbështetjen e plotë të skuadrës në gjithçka që dëshiron. Ne na duhet dhe ai duhet të jetë i kënaqur. E gjithë skuadra është pas tij". Ish futbollisti i Real Madrid Roberto Karlos mendon ndryshe duke thënë se Ronaldo është zhgënjyer ngaqë humbi betejën për lojtarin më të mirë në Evropë.
(dm/shqiptarja.com)