Britania e Madhe nuk ka deportuar asnjë emigrant në Francë, pavarësisht politikave të Brexit. Që kur u futën në fuqi rregullat e reja në janarin e kaluar, 70 mijë emigrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla, shkruan The Sun.
Politika e re thotë se azilkërkuesit mund të shpallen "të papranueshëm" nëse ata kanë udhëtuar në një vend të sigurt si Franca, ku mund të kishin aplikuar për azil. Në periudhën 21-mujore, u shqyrtuan më shumë se 20,600 kërkesa për azil, por vetëm 83 emigrantëve iu dhanë vendime të papranueshme, që do të thotë se një vend tjetër ishte përgjegjës për kërkesën e tyre.

Nga ata 83, 21 u kthyen në Gjermani, Irlandë, Itali, Slloveni, Spanjë, Danimarkë, Suedi dhe Zvicër, por asnjë në Francë. Skema e kërkesave të papranueshme të rregullave kthente disa azilkërkues në shtetet anëtare të BE-së pa marrë parasysh kërkesat e tyre për azil.
Ndërkohë Sekretarja e Brendshme Suella Braverman pranoi se kriza e emigrantëve është "jashtë kontrollit". Më shumë se 40,000 kanë mbërritur me gomone në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar këtë vit. Por Braverman është zotuar të "ndërmarrë veprime dramatike" dhe të ndryshojë ligjet e diskutueshme për të ndaluar emigrantët e paligjshëm.

