Mediat ndërkombëtare në pasqyrimin e tyre për vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, vunë theksin në marrëdhëniet e tensionuara Shqipëri-Serbi, ku temë e replikave të forta ka qenë pavarësia e Kosovës.
 
“Faturuar si një kapitull i ri në historinë e Ballkanit, vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi pas 68 vitesh është shndërruar në një betejë televizive midis kryeministrave mbi pavarësinë e ish-provincës serbe me shumicë shqiptare, Kosovën”, ka shkruar “Reuters”. Ndërsa e përditshmja turke “Hurriyet” në titullin e saj thotë: “Kryeministrat shqiptaro-serbë përplasen për Kosovën gjatë një vizite historike”. Edhe britanikja “ABC news” në titullin e saj kryesor shkruan se tensionet mes Shqipërisë e Serbisë nuk janë zbehur dhe kjo u vërtetua gjatë konferencës për shtyp të 2 kryeministrave. “Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë u zotuan të hënën të linin mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për t’u përqendruar në dëshirën e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian, por qetësia midis dy palëve ballkanikë nuk ka zgjatur as sa një konferencë për shtyp”.
 
Edhe “Deutsche welle” është shprehur në të njëjtën linjë duke thënë që të dyja palët shpresonin sot të përdornin këtë takim për të hapur një kapitull të ri në marrëdhënien e tyre të trazuar, por që një gjë e tillë qartësisht nuk ndodhi. Ato kanë cituar fjalët e dy kryeministrave gjatë debatit të ndezur mbi Kosovën.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)