Quhet Giampaolo Azzola, italiani nga Bergamo që mbeti i vrarë me tre të shtëna në një klub nate në Tiranë. Kështu e kanë nisur mediat italiane ngjarjen e një dite më parë, atë që u cilësua si masakra e 4 nëntorit. Përfshirja e italianit 55-vjeçar është pasqyruar edhe në mediat e huaja, kryesisht ato italiane. Këto të fundit kanë përshkruar ndodhinë e një dite më parë që i mori jetën Azzola-s me origjinë nga Lombardi i Bergamos, i cili humbi jetën teksa po transferohej në spital.

Sipas mediave italiane 55-vjeçari jetonte prej vitesh në Tiranë, ku edhe merrej me një sipërmarrje private.

Në sqarim të asaj çfarë ka ndodhur, mediat italiane thonë se 55-vjeçari bergamez u vra gabimisht në kulmin e një përleshje që degradoi me shkëmbim zjarri mes 2 grupe njerëzish në një lokal nate të vendosur në bodrumin e një ndërtese, 100 metra poshtë Ambasadës Amerikane.

Në vijim të ngjarjes ata nuk kanë lënë pa përmendur të arrestuarit të akuzuar për ngjarjen, duke evidentuar midis tyre të riun 26-vjeçar Konstandin Xhuvani, të dënuar edhe më parë për një vrasje në vitin 2011 si dhe dorëheqjen e të ëmës, Luiza Xhuvani nga detyra e saj si deputete.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)