Plani i paqes i Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë do t'i garantonte Rusisë zona të caktuara në Ukrainën lindore që aktualisht nuk i kontrollon - në thelb të gjithë Donbasin - në këmbim të garancive të sigurisë, që SHBA-të do të ofronin  për Kievin dhe Evropën në rast të një agresioni të ardhshëm nga Moska. Një burim i administratës amerikane i njohur me planin ia zbuloi këtë portalit amerikan të informacionit, Axios. Edhe media të tjera me emër si Reuters dhe Financial Times, kanë zbuluar po ashtu ekzistencën e këtij plani.

Sipas burimit, Shtëpia e Bardhë beson se Ukraina do të humbiste gjithsesi pjesët e territorit që do të duhej t'ia lëshonte Rusisë, dhe për këtë arsye "është në interesin e Kievit të arrijë një marrëveshje tani".

Plani 28-pikësh i presidentit Trump do t'i jepte Rusisë kontroll të plotë të rajoneve Luhansk dhe Donetsk (të cilat së bashku formojnë Donbasin), ndonëse Ukraina ende kontrollon 12% të territorit në ato zona. Pavarësisht kontrollit të Moskës, zonat nga të cilat Kievi do të tërhiqej, do të konsideroheshin një pjesë e demilitarizuar ku Rusia nuk mund të vendoste trupat e veta, raporton Axios. Në dy rajonet e tjera të Khersonit dhe Zaporizhias, linjat aktuale të kontrollit do të mbeten kryesisht të ngrira, me Rusinë që do të dorëzojë një pjesë të territorit, në varësi të negociatave.

Për më tepër, sipas planit, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do ta njihnin Krimenë dhe Donbasin si territor rus ligjërisht, por Ukraina nuk do të detyrohej ta bënte këtë.

Një zyrtar ukrainas tha se plani do të përfshinte gjithashtu kufizime në madhësinë e ushtrisë së Kievit dhe armëve të saj me rreze të gjatë veprimi në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. Nuk është e qartë se çfarë do të përfshinin garancitë e sigurisë së SHBA-së përtej një premtimi për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni i mëtejshëm rus.

Sipas dy burimeve me njohuri të drejtpërdrejta, Katari dhe Turqia janë të përfshira në hartimin e planit të ri të presidentit Trump dhe në mbështetjen e përpjekjeve të ndërmjetësimit të SHBA-së. Një zyrtar i Dohas thuhet se mori pjesë në bisedimet midis të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Steve Ëitkoff, dhe këshilltarit ukrainas të sigurisë kombëtare, Rustem Umerov, fundjavën e kaluar.

Një burim me njohuri të drejtpërdrejta të planit tha se Umerov u ngarkua nga Zelensky me detyrën për të negociuar me Ëitkoff, dhe se shumë nga komentet e tij u përfshinë në tekstin e planit me 28 pika.

Por një zyrtar ukrainas i intervistuar nga Axios shprehu mendimin e tij ndryshe, duke thënë se këshilltari i sigurisë nuk i pranoi kushtet e planit gjatë takimit, duke deklaruar se Kievi kundërshton shumë nga pikat. Para takimit me Umerovin, Ëitkoff thuhet se e diskutoi planin në thellësi me të dërguarin rus Kirill Dmitriev.

Një takim midis Zelenskyt dhe të dërguarit të SHBA-së ishte planifikuar sot në Ankara, por, siç zbuloi një burim i administratës së Uashingtonit, bisedimet dështuan kur doli në pah se presidenti ukrainas po tërhiqej nga marrëveshjet e arritura me Umerovin dhe nuk ishte i interesuar të diskutonte planin e Trump.

Në vend të kësaj, Zelensky udhëtoi për në Ankara me një plan tjetër të zhvilluar me partnerët evropianë, të cilin Rusia nuk do ta pranojë kurrë, tha zyrtari amerikan. "Tani do të presim. Topi është në fushën e Zelensky-t", tha zyrtari amerikan, duke shtuar se Zelensky mund të udhëtojë për në Uashington për të diskutuar planin e ri të SHBA-së nëse dëshiron.