Mediat SHBA: Shqipëria do të
pranojë arsenalin kimik sirian

Mediat SHBA: Shqipëria do të<br />pranojë arsenalin kimik sirian
TIRANE- Ka shumë gjasa që Shqipëria të pranojë kërkesën e OKB-së për të shkatërruar arsenalin e armëve kimike të Sirisë. Kështu raportojnë mediat amerikane duke iu referuar zyrtarëve amerikanë të cilët po përpiqen të bindin autoritetet shqiptare të pranojë këtë detyrë pas vendimit të Norvegjisë, e cila javën e kaluar refuzoi të pranonte armët kimike të regjimit të Bashar al Assad. “Cili apo cilët shtete do të pranojnë të marrin përsipër një gjë të tillë është më shumë në funksion të parave apo të vullnetit për të marrë pjesë”-deklaroi Paul Walker, drejtor i sigurisë në Green Cross International. Siç raporton gazeta “National Journal” bazuar në diskutimet e tij me zyrtarët e qeverisë amerikane, Walker tha se Shqipëria, Belgjika dhe Franca duket të jenë tre opsionet më të mundshme. Sipas tij, Washingtoni i ka kërkuar të gjithë aleatëve të tij të Europës Perëndimore të pranojnë arsenalin sirian të armëve kimike për ti shkatërruar.

Në intervista të tjera ekspertë të çarmatimit dhe zyrtarë të ndryshëm kanë përmendur disa kombinime të mundshme vendesh ku disa kanë shtuar edhe Suedinë me Danimarkën, por Shqipëria dhe Belgjika përsëriten nga të gjithë si kandidatet më të mundshme. Sipas një burimi brenda OKB-së, Shqipëria është vendi më i sigurt për të pranuar një pjesë ose të gjithë arsenalin kimik sirian. “Shqipëria më është përshkruar si më entuziastja për të patur një rrol në këtë proces”-ka deklaruar Charles Duelfer, lideri i Grupit të Vezhgimit në Irak i cili mbikqyri kërkimin e armëve të shkatërrimit në masë në Irak. Sipas analistëve, për Shqipërinë ky mund të jetë një moment i mirë për të pranuar këtë kërkesë të OKB-së, pasi ish vendi komunist pret të marrë statusin e vendit kandidat që prej kërkesës së parë në 2009, kur u bë edhe anëtare e NATO-s.

“Besoj se do të përfitojnë edhe shumë para nga ky proces, ndërsa do të tregojnë se janë qytetarë të mirë ndërkombëtarë”-ka deklaruar Richard Butler, i cili ka shërbyer si kreu i komisionit të OKB-së për çarmatosjen e armëve të shkatërrimit në masë në Irak. Por sipas ekspertëve, Shqipëria mund të jetë edhe sfida më e madhe logjistike dhe në aspektin e sigurisë. Ata argumentojnë se Tirana perceptohet se ka një sektor publik të korruptuar, çka mund të paraqesë rrezik për shitjen e një pjese të arsenalit kimik sirian në tregun e zi. Gjithësesi ata argumentojnë se procesi i shkatërrimit të armëve kimike siriane, do të përfshijë makineri speciale që do të sigurohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që do të shërbejnë për të djegur 1 mijë ton rezerva të agjentit nervor sarin. Ndërkaq zëdhënësit e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk kanë preferuar të komentojnë lidhur me këto deklarata, ashtu siç kanë refuzuar të komentojë edhe ambasada amerikane në Tiranë.

 Po kështu ekspertët thonë se ndryshe nga ekonomitë dhe infrastruktura e vendeve të avancuara të Europës Perëndimore, Shqipëria ka kufizime të theksuara në transport, komunikim dhe energji elektrike. “Shteti ballkanik është një alternativë e mirë, por ka mungese në ekspertizën teknike dhe të sigurisë, çka mund të paraqesë probleme”-shprehet Ëalker, i cili mendon se një vend i zhvilluar do të ishte opsion më i pranueshëm, si përshembull Italia. Ndërkaq sipas burimeve brenda OKB-së, që citohen nga National Journal, arsenali kimik sirian mund të ndahet mes dy apo më shumë vendeve. Por ekespertët argumentojnë se nuk është ende e qartë nëse ligjet shqiptare të mjedisit do të lejojnë një gjë të tillë.

Vetëm pak ditë më parë, ambjentalistët shqiptarë paralajmëruan për rrezikun e armëve kimike siriane duke i bërë thirrje qeverisë të refuzojë kërkesën e OKB-së për transferimin e një pjesë të arsenalit të armëve kimike të Sirisë për t’u shkatërruar në Shqipëri. Pas lajmit se një dokument i brendshëm i Kombeve të Bashkuara, publikuar nga rrjeti norvegjez NRK, tregon se “Shqipëria renditet mes 8 vendeve si destinacione të mundshme për arsenalin kimik sirian, ka reaguar Aleanca Kundër Importit të Plehrave, grupi që loboi suksesshëm kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. Sipas AKIP, “transferimi i armëve kimike të regjimit të Bashar Al Assad është kundër ligjeve dhe interesave të vendit”. Bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në shtator, arsenali i armëve kimike të presidentit Assad, duhet të transferohet jashtë Sirisë brenda janarit 2014 dhe të shkatërrohet përpara qershorit të po këtij viti.
 
Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Ushtria izraelite: Një marinar i vrarë dhe dy të plagosur nga sulmi i Hezbollahut

Ushtria izraelite: Një marinar i vrarë dhe dy të plagosur nga sulmi i Hezbollahut