TIRANË- Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndryshim të njëanshëm të kushtetutës dhe për tentativë për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të flasin më qartë, të drejtojnë gishtin nga "fajtorët" e vërtetë, pasi sipas tij opozita ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për një dialog, referuar këtu deklaratës së bërë nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ku tha se "Të gjitha palët t'i qëndrojnë 5 qershorit".

"Do ishim naiv nëse do besonim që Rama do ndryshojë qëllimin e vet. Opozita duhet të jetë e përgatitur, do të luajë çdo lloj truku brenda dhe jashtë vendit për të treguar se po e çon vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përballë kësaj opozita duhet të organizohet në ekstremin e mundshëm, si nga pikëpamja ligjore dhe praktike. Kemi Ramën që jo vetëm ka ndryshuar Kushtetutën, që s'e ka bërë asnjë vend, dhe Putini e ka bërë me referendum. Komuniteti ndërkombëtar të mos thotë që të gjejnë gjuhën e përbashkët, çështja nuk qëndron nga opozita, problemi qëndron te një njëri dhe këtu duhet të thotë që e zeza mbi të bardhë që "marrëveshjen e ka shkelur Rama", tha Mediu.

Në emisioni "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv, Mediu vuri theksin se opozita duhet të organizohet,  pasi Rama tenton manipulim të zgjedhjeve të 25 prillit. 

"PD do një listë të hapur, dhe nuk mendoj se do hapjen e listave dhe koalicionet, Rama do e manipulojë zgjedhjet me krim, me vjedhje votash. organizimi duhet të përputhem me atë qeveritar për të t'u përballur me krimin, me vjedhjen e votave. Duhet ringritur shteti dhe këtë e ka detyrim opozita dhe qytetarët. Duhet të gjejnë çdo lloj mekanizim, politik, qytetar dhe ndërkombëtar", tha Mediu.

Duke u ndalur te zgjedhjet e 25 prillit, por te pritshmëritë e tij si kryetar i PR-së, përtej akuzave në drejtim të Ramës, Mediu tha se në Tiranë mund të marrë më shumë se 1 mandat pasi forca e tij politike është rritur shumë. Ai tha se PR-ja është e përgatitur të dalë më vete, por i intereson që të dalë në koalicion me PD-në.

"Nëse bëjmë një analizë në Tiranë, mendoj që me organizimin e e sotëm mund të marrim më shumë se 1 deputet dhe mendoj që duhet të shtrijmë edhe më shumë se kaq, ka shanse që të ketë grupin e vetë parlamentar. PR është e përgatitur si të dal më vete, por ka interesin që të jetë në koalicion sidomos me PD", përfundoi Mediu në studion e Report Tv.