Hetimet intensive dhe përgjimet e kryera për vite me radhë ndaj Florenc Çapja zbuluan se 38-vjeçari është personi që tentoi të vrasë me armë zjarri ish-policin Fadil Mema.
Për të, gjykata ka caktuar masën e arrestit me burg për veprat penale, “Vrasje me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.


LEXO EDHE:
Remont në kabinat elektrike, këto zona në Tiranë mbeten pa energji në datat 14, 16 dhjetor
Ngjarja për të cilën akuzohet Çapja ka ndodhur 13 vite më parë, e konkretisht më 30 Janar të 2006-ës.
Në atë kohë Mema u plagos në sy të familjarëve të tij. Ndonëse Capja u shoqërua disa herë në polici, në asnjë moment nuk iu pre urdhër arresti për mungesë provash.
Dyshimet ishin se atentati ndaj Memës u bë për shkak të hakmarrjes, pasi kunati i Fadil Memës, u akuzua për vrasjen e Sokol Çapajt, xhaxhait të Florenc Capaj duke nisur sagën e hakmarrjeve.
Pas atentatit, familja Mema u largua në Itali, por në 13 Mars të 2015, Fadil Mema u qëllua për vdekje në Torino, me 6 plumba pistolete. Në atë kohë ngjarja ndodhi pranë banesës ku ai jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët ku kishte nisur jetën si shpërndarës gazetash.
Masa e arrestit ndaj Capajt, është dhënë vetëm për tentativën e vrasjes në 2006, ndërsa hetimet vijojnë për të parë nëse Çapaj do të jetë po ashtu i përfshirë në vrasjen e Memës në Itali.
Ndërkohë, policia ka të faktuar me prova ligjore edhe vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit, babë e bir, në 15 Gusht të 2012-ës. Për këtë ngjarje janë identifikuar si autorë Ervis Bardhi dhe Etjen Çani, të cilët policia i ka shpallur në kërkim.
Ngjarja e tretë ka të bëjë me plagosjen dhe pengmarrjen e një personi po në Elbasan, në 19 Prill të 2013-ës, ku është shpallur në kërkim Marjus Lulaj i njohur ndryshe edhe me emrin Suel Çela, edhe ky një emër jo pak i njohur për policinë e Shtetit, djali i biznesmenit Petrit Çela.
Po për këtë ngjarje, i akuzuar është edhe Endri Çopja, të cilit i është komunikuar masa e arrestit në qeli ku ndodhet për një tjetër vepër penale.
G.M./r.k./Shqiptarja.com
