Si e njohim Megin jashtë profesionit dhe ekranit?
Megi është një vajzë si shumë bashkëmoshatare të saj, me shumë dëshira, ëndërra dhe ambicie, por edhe me të veëantat e saj dhe ç’ka është më e rëndësishme me këmbë në tokë. Kam lindur në Tiranë dhe që fëmijë jam edukuar me frymën dhe atmosferën e artit në familjen time. Mbase, kështu nisi dhe pasioni im për televizionin dhe modën meqenëse u bëra pjesë e tyre që në moshë shumë të vogël. Në klasën e parë kam nisur të marr kulturë artistike e kjo vazhdon deri më sot që studioj në vitin e fundit në degën e arteve. Për fatin tim të mirë, prindërit më mundësuan të ndiqja njëkohëisht baletin, pianon, pikturën gjë që më ndihmoi shumë të bëhesha dhe të ndihesha pjesë e botës së artit shumë herët dhe njëkohësisht e shumë spektakleve dhe organizimeve të ndryshme. Një ndër gjërat më interesante në jetën time artistikë është dhe të qenit pjesë e kopertinave të revistave në vendin tonë. Kjo më bëri disi të njohur si dhe më fali shumë vetëbesim e vullnet për të vazhduar drejt këtij labirinti pafund siç është arti.
Si e zbuluat talentin për modë dhe e kujt ka qenë mbështetja fillestare?
E mendoj dhe e kam kuptuar se kjo për mua erdhi sa rastësisht aq edhe në mënyrë spontane e origjinale. Edhe këtë herë ishte SHBA që më solli fat. Në vitin 2007, kur unë së bashku me familjen ndodheshim atje, në një nga butiqet e ‘Victoria Secret’, një agjent mode më bëri një ofertë për të qenë pjesë e agjencisë së tij. Kjo ishte tërheqja e parë të mendoj për t'u marrë me modë. Puna ime e parë e vërtetë ka qenë në moshën 15 vjeçare. Nuk besoj se ka nevojë të them se mbështetja ime e madhe janë prindërit e mi, të cilët kanë ditur që të më rrënjosin dashurinë për artin e vërtetë, por edhe të jenë aty në çdo përpjekje timen. Ne e festojmë bashkë çdo arritje sepse çdo arritje e imja është pak e tillë edhe për ta.
Çfarë mendoni në momentin që futeni në studio për fotosesion?
Mendoj çdo parim të profesionalizmit. Çdo përvojë e mëparshme që të mund të bëj më të mirën e të jap maksimumin. Përpiqem të jem sa më e lirshme përpara objektivit duke nxjerrë në pah gjithë aftësitë e mia, të lindura e të fituara, që rezultati të më pëlqej mua dhe të bind fotografin si dhe të kënaq publikun.
Veç fushës së modës, keni spikatur edhe nëpër show të ndryshëm...keni pasione të tjera?
Nëse mendoj profesionalisht më pëlqen edhe bota e televizionit, edhe profesioni im i zgjedhur, koreografia. Privatisht jam shumë e joshur nga udhëtimet dhe risitë që më ofrojnë ato. Çdo vend është një botë në vete dhe unë pres me padurim të zbuloj pjesë nga kultura dhe historia e tyre. Kjo më bën më të pasar mendërisht dhe shpirtërisht.
Si pamje cili tipar mendon se të veçon nga tjerët?
Përgjithësisht jam komode me pamjen time, e kënaqur me çfarë më ka falur Zoti dhe trashëguar nga prindërit. Në lidhje me pamjen duke qenë pjesë e kësaj bote kam preferencat e mia, kam vënë re se profili im pëlqehet dhe vlerësohet shpesh si diçka unike dhe e ëmbël, tek unë.
Një ditë e jotja?
Përditshmëria nis rreth orës 7.30 minuta kur bëhem gati për fakultet, gjatë orëve të pushimit jam e ulur diku gjithmonë me miqtë e mi, në ditë të vecanta mund të kem ndonjë angazhim në tv, më pas në shtëpi studioj, lexoj dhe pasditen i'a rezervoj gjithmonë stërvitjes.
Planet tua konkrete në të ardhmen...?
Më duhet të përfundoj me rezultate shumë të mira vitin e fundit në fakultet ndërkohë jam e impenjuar në programin “E diela shqiptare”. Jam duke realizuar një projekt vërtetë ambicioz dhe kulmor për mua gjithmonë në lidhje me vizitën e fundit në SHBA. Për detaje duhet të presim pak, pasi sië e kam shpreh jam pak supersticioze dhe preferoj t'i realizoj projektet përsosmërisht pastaj t'i shpalos.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm (4 tetor 2014) të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)