Mehmet Çeliku: S’duhet prekur
Drejtshkrimi i ‘73-shit, të ruhet ë-ja

Mehmet Çeliku: S’duhet prekur<br />Drejtshkrimi i ‘73-shit, të ruhet ë-ja
TIRANE- Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim ku hedh dritë mbi politikat dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes. Libri titullohet “Çështje të shqipes standarde” dhe vjen si botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Profesor Mehmet Çeliku e nis studimin e tij që koha kur u ndërtua standardi i shqipes dhe deri në debatet për rishikimin e saj që po zhvillohen vitet e fundit. Ai është i mendimit se “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 të mos ndryshohet, por sipas tij ka nevojë për një redaktim të thellë. Megjithatë, profesor Mehmet Çeliku argumenton se nuk duhen bërë ndryshime të thella.

Redaktimi sipas tij i duhet bërë materialit ilustrues, i cili duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, ku të hiqen fjalë të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, etj. Këto janë disa sugjerime që prof. Mehmet Çeliku i jep në studimin e tij të gjatë “Çështje të shqipes standarde”, ndërsa këmbëngul se “nuk duhet prekur Drejtshkrimi i vitit 1973”.

“Përmirësimi i mëtejshëm i shqipes standarde në etapën e sotme kërkon një politikë gjithëkombëtare në fushë të gjuhës, kërkon shtrirjen e standardit në të gjitha trevat shqiptare, zotërimin më të mirë e më të shpejtë të tij, kërkon një konceptim të ri e më rezultativ, në mësimdhënie, sidomos në shkollat e mesme”, shkruan prof. Çeliku në libër. Duke u ndalur në ndryshimet në standard ai thotë se “përvoja e huaj tregon se ndërhyrjet në gjuhët standarde janë jashtëzakonisht të rralla”. Sipas gjuhëtarit “ndërhyrja do të bëhet vetëm për ta përsosur, për ta aktualizuar, duhen ndryshuar vetëm pak gjëra...Ky drejtshkrim është zbatuar e po zbatohet me sukses kudo në Shqipëri e në trevat shqiptare që aktualisht ndodhen jashtë kufirit politik të saj, por edhe nga shqiptarët në diasporë”, shkruan Çeliku.

Për sa u përket diskutimeve për zanoren ë, Çeliku mendon se duhet të ruhen rregullat e Drejtshkrimit të 1973-shit. “Sot nuk mund të thellohemi në heqjen e zanores ë, si mbështetëse dhe si element i temës. Duhen bërë studime të mëtejshme, duhen pasqyra të plota të gjendjes aktuale, të shihet shqiptimi aktual i tyre në gjuhën e sotme, të shihen bashkëtingëlloret rrethuese të e-së etj. Ruajtja e ë-së është e nevojshme, sepse ajo siguron një shqiptim të qartë, të ngadalshëm, ruan përbërësit e fjalës, ndërsa reduktimi i saj, do të sillte vështirësi në shqiptim e paqartësi për ndërtimin e fjalës etj. Prania e ë-së siguron qartësinë e strukturës fjalëformuese të fjalës…”. Ai kundërshton propozimet e KNGJSH-së për reduktimin e thellë të ë-së, për përfshirjen e paskajores gegë të tipit me punue, me ba, me përfshirjen në standard të pjesoreve të shkurtra etj. sipas tij ndryshime të tilla nuk duhen bërë “në asnjë mënyrë”.

Studimi “Çështje të shqipes standarde” Studim që vjen pas një karriere të gjatë të tij në fushën e gjuhësisë, të cilin prof. Çeliku ia dedikon djalit të tij të ndjerë, Florentit, që ka ndërruar jetë pak kohë më parë; disa studime në këtë vepër janë ideuar prej tij.

Shkrimi u publikua sot (27.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)