Mehmet Hanaj: Inxhinieria 
mekanike, sfida ime profesionale

Mehmet Hanaj: Inxhinieria <br />mekanike, sfida ime profesionale
TIRANE - Ishte vetëm 18 vjeç kur i vendosi vetes një qëllim! Të bëhej një inxhinier mekanik dhe të sfidonte tregun e punës. Ky është Mehmet Hanaj, inxhinieri që përmes këtij rrëfimi na tregon hap pas hapi vështirësitë që ka hasur gjatë 4 viteve në tregun e punës, sfidat, por edhe mundësitë e kualifikimeve që ka mundur t’i përvetësoj me anë të praktikës profesionale.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, ai na tregon se inxhinieria mekanike ishte profesioni që plotësoi ëndrrat e tij, madje thekson se duke u mbështetur në zhvillimet teknologjike që po prek bota e mekanikës në Shqipëri, mekanika shikohet si një ndër profesionet më të kërkuara dhe me më shumë të ardhura, duke u bërë një profesion i vlerësuar. Ai nuk ngurron të na tregoj edhe punën e tij të përditshme, kualifikimet dhe strategjitë që ndjek kompania “Tendence 3A” për të rekrutuar të rinj që e duan këtë profesion.
 
Prej pak kohësh drejtoni një nga serviset më të njohura në Tiranë. Si i kujtoni fillimet tuaj pas diplomimit si Inxhinier Mekanik?
Faleminderit për ftesën tuaj për të qënë pjesë e historive tuaja të cilët pasqyrojnë jetën sociale reale. Si çdo student i sapo diplomuar dëshira ime ishte të punoj në atë profil për të cilën edhe kisha studiuar. Normalisht, tregu i punës në Shqipëri është shumë i vështirë për të pasur një karrierë të konsoliduar, por domosdoshmëria për të pasur një punë ishte shumë e madhe për të përballuar koston e jetesës, duke synuar që të isha pjesë e tregut në Tiranë. 

Një tjetër arsye që synova të qëndroja pas studimeve universitare ishte edhe mundësitë e punësimit që nuk mund t’i ofroj vendëlindja ime. Përballja e parë pas diplomimit për të qenë pjesë e tregut të punës ishte shumë e vështirë, për shkak se gjatë 5 viteve studime nuk na është dhënë mundësia e praktikave profesionale, gjë që e bën të vështirë hapin e parë drejt punës. Eksperienca ime e parë ishte tek “Fiat Albania” ku fillimisht u pozicionova si operator pritje, por me vullnet dhe përkushtim arrita të perfeksionohem edhe nga ana praktike duke kryer edhe dy specializime pranë “Fiat Auto” në Torino. Që këtu nisi karriera ime duke u pozicionuar në profilin që unë synoja.

Çfarë ka sjell për ju ky profesion?
Veç sfidave që përballet çdo i ri, për mua ishte një ndër profesionet që plotësoi ëndrrat e mija, gjithashtu është një profesion që të bën konkurrent në treg. Duke u mbështetur në zhvillimet teknologjike që po prek bota e mekanikës në Shqipëri, shikohet si një ndër profesionet më të kërkuara dhe me më shumë të ardhura, duke u bërë një profesion i vlerësuar.

Duke parë që tregu i punës sa vjen dhe bëhet më i vështirë, sa ju kanë ndihmuar kualifikimet në këtë drejtim?
Për mua eksperienca e parë e punës më ka dhënë shumë mundësi për të konkurruar në tregun e punës. Për këtë arsye, kualifikimet e kryera nëse nuk i vë në zbatim nuk të vlejnë për të qenë i kërkuar nga punëdhënësit. Por, gjithçka varet nga dëshira dhe qëllimi që ke ndaj vetes për të synuar sa më lart drejt profesionalizmit.

Cilët janë kriteret që duhet të plotësojnë të rinjtë për t’u bërë pjesë e stafit tuaj?
Për t’u bërë pjesë e stafit nuk është se kemi një rregullore strikte për të gjithë të rinjt që dëshirojnë të ushtrojnë këtë zanat pranë kompanisë tonë. E gjithë nis nga përkushtimi dhe dëshira për tu perfeksionuar në një drejtim specifik të operacioneve të punës që kryhen në një servis. Strategjia e kompanisë sonë ndahet në dy kategori, në specialist dhe ndihmës, ku specialistët përzgjidhen në bazë të eksperiencës së punës dhe aftësimit profesional dhe teknik.

Ndërsa, ndihmësit ju jepet mundësia të kalojnë testin e provës në nivelet më të ulta teknike për të parë prirjet e tyre dhe synimet që kanë për të ardhmen. Në këtë moment, kompania investon vazhdimisht për këto të rinj që gradualisht të shkojnë drejt profesionalizmit të një drejtimi të këkruar nga kompania. Kjo realizohet nëpërmjet trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, pasi ne jemi një konçesionar që na ofron mundësinë e trajnimeve dhe konsultimeve teknike onalin.

Çfarë e motivon një inxhinier, a është një profesion i vështirë për të bërë karrierë në Shqipëri?
E bukura e këtij zanati është se asnjëherë nuk përballesh me të njëjtat gjëra. Çdo ditë, për një inxhinier mekanik nis ndryshe, pasi jemi në kontakt të vazhdushëm me të gjithë klientët të cilët disponojnë automjetet e tyre luksoze, mani kjo e shqiptarëve deri tek individë që posedojnë automjete të thjeshta, por që kanë probleme madhore. Përballja dhe komunikimi me klientët është sfidë profesionale, të cilët duhet të dish ta analizosh situatën në çdo moment. Sigurisht, të gjitha këto sfida që ne hasim në përditshmërinë e këtij zanati dhe na bëhen pjesë e përditshme e jetës sonë, nëse arrin t’i përballosh me sukses këto barrier dhe t’iu japësh zgjidhje, atëhere je në rrugën e duhur për t’u bërë një inxhinier i mirë në treg.

Si nis dhe si mbaron një ditë pune për ju, sa e vështirë është të kordinosh 13 veta në staf?
Në momentin që unë pranova të bëhesha pjesë e stafit të “Tendence 3A” mora përsipër të gjithë këtë sfidë si nga ana organizative dhe teknike për t’i dhënë drejtimin e duhur çdo procesi dhe sektori pune që më ishte besuar në fillim të kontratës së punës. Dita nis ndryshe si çdo ditë tjerë, ku në fokusin e parë prioritet mbeten punët që lë në vazhdimësi, shërbimet periodike iu jepet avantazh, si dhe shërbimet me probleme elektronike dhe motorrike kërkojnë më shumë kohë dhe përqëndrim.

Puna në servisin ku punoj është e organizuar në sektor të veçantë, ku çdo specialist ka detyrat dhe përgjegjësitë e tij të ndara. Duke qenë e mirëorganizuar dhe me një ndarje detyrash të mirëpërcaktuara, çdo gjë shkon në drejtimin e duhur.

Shkollat profesionale po zënë një vend të rëndësishëm në zanate të caktuara, siç është dhe ai i mekanikut.  A mendoni se të pasurit një zanat vlen sot?
Orinetimi drejt shkollave profesionale është një hap shumë i rëndësisshëm për çdo të ri për të bërë zgjedhjen e duhur e për të pasur një zanat. Mendoj se shkollat profesionale në Shqipëri nuk kanë pasur mbështetjen dhe infrastrukturën e duhur për të nxjerr çdo vit të rinj të specializuar drejt një zanati të caktuar.

Jo çdo i ri e ka mundësinë për të kryer studimet universitare, të cilët mund ta shikojnë si mundësia e vetme për të pasur një profesion apo zanat. Kurset profesionale që po marrin jetë kohët e fundit, është një dritë jeshile për të çdo të ri që preken nga pamundësia për të pasur një diplomë universitare. Duke u mbështetur më lart, mendoj se të pasurit një zanat i jep mundësinë për të qenë konkurrent në treg, pasi ky zanat testohet në mënyrë të drejtpërdrejt nga ana praktike.

Cilët janë pritshmëritë tuaja për të ardhmen?
Tashmë profesioni im është i afirmuar si inxhinier mekanik në treg dhe si çdo inxhinier dëshira është të ketë sa më shumë aksese drejt risive teknologjike të fundit, duke u pasuar këto me specializime dhe trajnime. Në këtë mënyrë ne jemi paralel me kërkesat e tregut europian dhe kërkesat e tregut të punës. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?