Gjyqtari dhe shiu nuk arritën që të ndalin fitoren e Meksikës përballë ekipit të Kamerunit me rezultatin 1-0. Ndeshja e vlefshme për grupin A ishte e mbushur me shumë polemika, pasi arbitri anuloi 2 gola shumë të diskutueshëm për Meksikën. Megjithatë goli i Peratës në të 61’ mbyll gjithçka duke bërë që episodet e diskutueshme të harrohen. Me sfidën Meksikë-Kamerun mbyllen ndeshjet e para të grupit A duke parë në kryesim Brazilin dhe Meksikën me nga 3 pikë.

Meksika e ka nisur mjaft mirë ndeshjen duke rrezikuar me Dos Santos dhe Guardado nga minuta e parë, ndërsa Kameruni mbrohej me kujdes duke pritur për të shfrytëzuar kundërsulmet e shpejta me Samuel Eto’o. Meksika në minutën e 10 shënoi në portën e afrikanëve me Dos Santos, por arbitri vërshëllen për një pozicion jashtë loje duke anuluar golin. Nga përsëritja e aksionit pozicioni është mjaft i diskutueshëm dhe goli duket se ishte i saktë.

Ndërsa në të 16’ anulohet një tjetër gol këtë herë për Kamerunin, por ndryshe nga pozicioni i Dos Santos, Eto’o ishte dukshëm në pozicion jashtë loje. Por nuk mjafton me kaq, pasi edhe në të 29’ Meksikës i anulohet edhe një tjetër gol me të njëjtin autor, Dos Santos. Meksikanët harkojnë një top të bukur në zonë, Song në përpjekje për ta larguar e dërgon në portën  e tij, arbitri anësor e anulon duke e gjykuar në pozicion jashtë loje me idenë se e goditi Dos Santos, por gabon.

Pjesa e parë mbyllet me dy raste të mirë për të dy ekipet, Markez nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë pas një aksioni të bukur të meksikanëve, ndërsa Eto’o për afrikanët kishte rastin më të mirë të ndeshjes për të shënuar në fund të pjesës së parë, por pa rezultat duke mbyllur pjesën e parë 0-0.

Në fraksionin e dytë Meksika zhvendoset e gjitha në sulm në kërkim të golit të avantazhit me cdo kusht. Peralta pas një tentative të dështuar në të 48’ arrin të gjejë rrjetën ne minutën e 61 duke kaluar në avantazh Meksikën, këtë herë në mënyrë të rregullat pas anulimit të dy golave në pjesën e parë. Në minutat e mbetura Kameruni nuk humbet shpresat për një barazim duke iu afruar golit në të 86’, por Rodriges nuk lejon që harkimi i afrikanëve të shkonte në këmbët e Eto’o-së.
 

Formacionet
 
Meksika: Ochoa; Rodriguez, Marquez, Aguilar, Layun; Herrera, Vázquez, Dos Santos, Moreno, Guardado, Peralta.
 
Kameruni: Itandje, Assou-Ekotto, Nkoulou, Djeugoue, Song, Moukandjo, Eto’o, Choupo Moting, Chedjou, Mbia, Eno.