Bombula e fikjes së zjarrit kërkohet vetëm për mjetet që transportojnë lëndë shpërthyese dhe jo për të gjitha mjetet.

Lajmi bëhet i ditur nga Agron Mema, Kreu i Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve motorrike të mos bien pre e spekullimeve të biznesmenëve të cilët kërkojnë të shesin bombula për fikjen e zjarrit edhe atëherë kur nuk është e nevojshme.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Drejtori i Sigurisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agron Mema sqaron të gjitha problematikat që hasin sot drejtuesit e mjeteve në Shqipëri , duke nisur që nga kërkesa për kutinë e ndihmës së shpejtë e duke vijuar me radhët e gjata pranë komisionit që shqyrton pezullimin e lejes së drejtimit.

Mema bënë të ditur se Policia e qarkullimit rrugor nuk ka shpikur ligj të ri, por po zbaton dhe operon me një ligj të vititi 1999, i cili më parë është zbatuar me hope. "Sot, të gjithë drejtuesit e mjeteve që kapen pa kutinë e ndihmës së shpejtë, sinjalistikën lëvizëse (trekëndshi i kuq), ndëshkohen me sanksione nga 1 000-3 000 lekë të reja dhe këtë e thotë ligji numër 8378, datë 22 Korrik të vitit 1998, por që ka hyrë në fuqi një vit më vonë, pra në vitin 1999", theksoi Mema.


Sipas tij, në Nenin 72 i ligjit në fjalë nuk përmendet në asnjë shkronjë dhe gërmë të tij bombula e fikjes së zjarrit për mjetet e vogla. "Në nenin 72, pika 3 saktësohet se automjeti duhet të ketë sinjalistikë të lëvizshme e cila do ndihmojë drejtuesit e mjeteve në rastet kur mjeti rezulton i pamundur për të lëvizur dhe kjo sinjalistikë vendoset disa metra larga makinës për t'i sinjalizuar mjeteve të tjera që lëvizin në atë aks rrugor të jenë të kujdesshëm", sqaroi Mema.

"Në shkronjën d, të pikës tre të nenit 72, sqarohet se në çdo automjet duhet të jetë kutia e ndihmës së shpejtë. Përdorimi i të cilës mësohet nga drejtuesi i mjetit gjatë kursit të kryqit të kuq, kurs ky i detyruar për personat që dëshirojnë të pajisen me leje drejtimi". Së fundmi, shtoi Mema pajisjet e kësaj kutie, sqarohet në ligj janë ato pajisje (gërshërë, fasho, jod..etj) të cilat janë miratuar sipas një dakordësie mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kryqit të Kuq".

Ai thekson se bombula e fikjes së zjarrit nuk kërkohet për të gjitha llojet e mjeteve, por vetëm për ato mjete të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë si pasojë e ngarkesave që ato transportojnë. "Pra, nënvizoi Mema, për mjetet e mëdha që transprotojnë gaz, naftë apo lëndë të tjera shpërthyese, por jo për mjetet e vogla. Prandaj të gjithë drejtuesve që nuk janë pjesë mjeteve të sipërcituara të denoncojnë rastet kur oficeri i policisë i kërkon mjete të cilat nuk i parashikon ligji".

Drejtori i Sigurisë Rrugore sqaroi se "për shkak të zbatimi të këtij ligji kanë lindur disa shqetësime, si abuzimi që biznesmenët bëjnë me këtë, duke i shitur drejtuesve të mjeteve të vogla edhe bombula për fikjen e zjarrit, çka nuk është e kërkuar".

Mema u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të denoncojnë abuzimet në këtë drejtim dhe të mos frikësohen nga vlera e sanksioneve, por t'i vlerësojnë ato si një tregees apo shenjë e shtetit për të disiplinuar trafikun rrugor në vend. "Qeveria ka marrë një vendim për të rritur sanksionet për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo, nuk synon të frikësojë qytetarët, por të ndërgjegjësoi ata se sa e rëndësishme është zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor.

Po ashtu Mema, gjatë intervistës për ATSH-në sqaroi edhe vlerën e gjobës për drejtuesit e mjeteve të cilët nuk respektojnë semaforin apo sinjalistikën rrugore. "Sanskioni varion nga 5 000 deri në 20 000 lekë të reja, si dhe pezullimin e lejes së drejtimin për një peridhuë nga 2-6 muaj, në varësi të shkeljes.", nënvizoi Mema. 

ATSH