TIRANË, 9 Dhjetor /ATSH / - Në kuadër të Fushatës Kombëtare të Pyllëzimit, ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe Shoqata "Rrjeti Shqiptar i Përgjegjshmërisë Sociale të Korporatave" (Albanian CSR Network) i përfaqësuar nga Adamantios Frantzis, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi mbi bashkëpunimin e ndërsjelltë për rehabilitimin e terreneve të prekura nga erozioni nëpërmjet pyllëzimeve.
Qëllimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është rritja e bashkëpunimit të ndërsjelltë mbështetur mbi vullnetarizëm dhe/ose mbi parimin e vullnetit të mirë, për të kontribuar me mjete logjistike, kapacitete humane dhe mjete financiare, me qëllim realizimin me sukses të fushatës mbarëkombëtare të pyllëzimeve, si një nga objektivat madhore të politikave Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Mjedisit, kontribut ky i cili do t'i shërbejë të gjithë vendit dhe brezave të ardhshëm.
I pranishëm në ceremoni, ministri i Mjedisit, Lefter Kokam, u shpreh se "që nga shtatori i vitit 2013 mjedisi ka qenë në fokus të Qeverisë Shqiptare. Sigurisht që gjetëm një gjendje të rëndë dhe të mbartur ndër vite, por kemi bërë cmos për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së mjedisit. Unë jam i bindur që qytetarët shqitparë kanë të njëjtën përgjegjshmëri si dhe qeveria për të kontribuar e për të ndryshuar këtë realitet në pyjet shqiptare, për të patur më pak erozion dhe një ajër më të pastër dhe në fund për të patur një jetë më cilësore."
Duke folur më konkretisht për pyjet, ministri Koka theksoi se kërkohet angazhim mbarëqytetar për të bërë jetën e çdokujt prej nesh më cilësore. "Nga fillimi i mandatit e deri në fund të këtij viti Ministria e Mjedisit synon që të ketë 2.5 milionë fidanë të mbjellë për të synuar mbajtjen e premtimit prej 10 milionë fidanësh brenda një mandati qeverisës. Por, nuk mund të rehabilitojmë të vetëm mjedisin ndaj bizneset që i bashkohen fushatës kombëtare të pyllëzimit do të japin një kontribut të çmuar jo vetëm për vendin por edhe më gjerë. Dua t'i garantoj Shoqatës së bizneseve, përgjegjshmërinë dhe transparencën e Ministrisë së Mjedisit për çdo kontribut të dhënë prej tyre i cili do të shkojë në destinacionin e përcaktuar për të arritur në zbatimin e këtij memorandumi. I falenderoj bizneset për bashkëpunimin sepse ky vend ka pasuri të vyera që duhen ruajtur nga të gjithë".theksoi Koka.
Nga ana e tij, presidenti i shoqatës, Adamantios Frantzis, siguroi se "Kompanitë të cilat janë anëtare të Shoqatës 'Albanian CSR Netëork' vendosën të jepnin kontributin e tyre me një shumë simbolike për të mbështetur përpjekjet e Ministrisë së Mjedisit. Ne jemi të sigurtë që një pjesë e konsiderueshme e stafeve tona qe e tejkalon shifrën e 3,000 personave, do të dalin vullnetarë në mbjelljen e fidanëve. Pjesmarrja jonë me shumë mundësi nuk do të ndalojë këtu, pasi shumë nga anëtarët tanë po shikojnë mundësinë e një përfshirjeje direkte në Iniciativën e Ministrisë së Mjedisit."
Memorandumi i Mirëkuptimit zyrtarizon bashkëpunimin dhe kontributin që do të japin bizneset në kuadër të Fushatës Kombëtare të Pyllëzimit. Në rrjetin "'Albanian CSR Netëork' janë 15 biznese shqiptare që marrin pjesë dhe që do të përfshihen në fushatë. /a.ke/